Botohet vëllimi elektronik “Formimi i identitetit kulturor të brezit të ri në hapësirën albanofolëse nën ndikimin e gjuhës dhe kulturës gjermane”

26 Maj 2026
SHARE

Sot është botuar vëllimi elektronik “Formimi i identitetit kulturor të brezit të ri në hapësirën albanofolëse nën ndikimin e gjuhës dhe kulturës gjermane”, i realizuar në kuadër të projektit kërkimor me të njëjtin titull, të financuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT).

Projekti është realizuar nga Prof. Dr. Vjosa Hamiti, profesoreshë në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës dhe udhëheqëse e projektit, Prof. Asst. Arlinda Dushi dhe MA Arbnora Bajraktari (PhD candidate), anëtare të projektit, si dhe Prof. Dr. Brikena Kadzadej nga Universiteti i Tiranës, në cilësinë e ekspertes së jashtme të projektit. Në realizimin e projektit kanë kontribuuar edhe studentet e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës: Uridije Lajçi (PhD candidate), Agnesa Haklaj (PhD candidate), Vanesa Asllani (MA) dhe Leandra Pireva (MA).

Nga sot, ky vëllim elektronik është i qasshëm në versionin PDF dhe si E-book/EPUB. Për një lexueshmëri dhe qasje më të gjerë, vëllimi është botuar në dy gjuhë: shqip dhe gjermanisht.

Botimi përmbledh esetë e 37 studenteve dhe studentëve të nivelit master, prej të cilëve 19 nga Universiteti i Prishtinës dhe 18 nga Universiteti i Tiranës, që trajtojnë ndikimin e gjuhës dhe të kulturës gjermane në formimin e identitetit kulturor të brezit të ri në Kosovë dhe në Shqipëri.

Vëllimi mbështetet në qasje bashkëkohore teorike mbi identitetin, shumëgjuhësinë dhe ndërkulturalitetin, ndërsa esetë reflektive paraqesin përvoja personale dhe procese konkrete të ndërtimit identitar në kontekstin e globalizimit, migrimit dhe kontaktit kulturor.

Studimi dëshmon se, për brezin e ri albanofolës, gjuha gjermane nuk perceptohet vetëm si mjet komunikimi apo si instrument i mobilitetit akademik dhe profesional, por edhe si një hapësirë në të cilën identiteti riformulohet, zgjerohet dhe konsolidohet.

Ky vëllim paraqet një korpus të rëndësishëm empirik dhe narrativ, i cili mund të shërbejë si bazë relevante hulumtimi për studiues, studentë dhe kërkime të mëtejshme në fushën e studimeve të identitetit, të shumëgjuhësisë, të sociolinguistikës, të ndërkulturalitetit dhe të fushave të tjera të përafërta.