Universiteti i Prishtinës, respektivisht Fakulteti Juridik dhe Departamenti i Shkencës Politike, shpall thirrjen për aplikim për përzgjedhjen e studentëve që do të përfaqësojnë Universitetin e Prishtinës në National Model United Nations (NMUN) Spain 2026, i cili do të mbahet në Barcelonë, në datat 22–28 nëntor 2026.
NMUN përfaqëson një nga simulimet më prestigjioze ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, duke ofruar një platformë akademike dhe profesionale ku studentët angazhohen në procese diplomatike, zhvillojnë aftësi negocimi dhe kontribuojnë në hartimin e rezolutave në një mjedis shumëkombësh.
Pjesëmarrja në këtë program kërkon një angazhim të strukturuar dhe të vazhdueshëm përgjatë disa muajve përgatitorë, i cili përfshin përgatitje akademike dhe kërkimore, hartimin e dokumenteve zyrtare (position papers), pjesëmarrje në sesione përgatitore dhe simulime, si dhe përfaqësim aktiv gjatë konferencës ndërkombëtare.
Kriteret për aplikim:
Të drejtë aplikimi kanë studentët e nivelit Master (me prioritet), në fushat:
· Marrëdhënie Ndërkombëtare
· Shkencë Politike
· E Drejtë Ndërkombëtare
Kandidatët duhet të plotësojnë këto kushte:
· Njohuri shumë të mira të gjuhës angleze
· Interes të dëshmuar për diplomaci dhe organizata ndërkombëtare
· Gatishmëri për angazhim të plotë gjatë gjithë periudhës përgatitore
Mbështetja financiare:
Universiteti i Prishtinës synon të mbulojë shpenzimet e pjesëmarrjes për studentët e përzgjedhur, në përputhje me rregullat dhe mundësitë buxhetore në fuqi.
Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim:
· Curriculum Vitae (në gjuhën angleze)
· Letër motivimi (maksimum një faqe)
· Transkript i notave
Afati i fundit për aplikim: 24 prill 2026
Aplikimet dërgohen në: [email protected]
Subjekti i email-it: NMUN Barcelona 2026 – Emri Mbiemri
Vetëm kandidatët e përzgjedhur në listën e ngushtë do të ftohen për fazat e mëtejme të përzgjedhjes.
Universiteti i Prishtinës inkurajon të gjithë studentët e interesuar dhe të përkushtuar ndaj zhvillimit akademik dhe profesional në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare të aplikojnë në këtë mundësi përfaqësimi në një platformë ndërkombëtare të nivelit të lartë.