Universiteti i Prishtinës shënon një moment të rëndësishëm në përpjekjet për forcimin e lidhjeve akademike me diasporën kosovare dhe komunitetet historike shqiptare jashtë vendit. Për herë të parë, pas ndarjes së kuotave të veçanta për arbëreshët, arbneshët, shqiptarët e Turqisë dhe mërgatën kudo në botë, katër studentë të rinj janë bërë pjesë e studimeve të nivelit bachelor në Universitetin e Prishtinës.
Ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt kthimit të të rinjve në atdheun e tyre apo të prindërve të tyre, duke e shndërruar Universitetin e Prishtinës në një urë të fuqishme akademike, kulturore dhe kombëtare për brezat e rinj të diasporës. Studentët e pranuar do të ndjekin studimet në programe të ndryshme të Universitetit të Prishtinës.
Ky është një lajm i veçantë jo vetëm për Universitetin e Prishtinës, por edhe për Kosovën, pasi dëshmon potencialin e madh të diasporës si pjesë aktive e zhvillimit akademik, profesional dhe shoqëror të vendit. Përmes përfshirjes së të rinjve nga mërgata dhe komunitetet tona historike, UP-ja po kontribuon në mënyrë konkrete në procesin e “kthimit të trurit” në Kosovë, qoftë nëpërmjet diasporës akademike, qoftë përmes kthimit të të rinjve për të studiuar, jetuar dhe kontribuuar në vendin e origjinës.
Universiteti i Prishtinës mbetet i përkushtuar që të jetë shtëpi akademike për të gjithë kosovarët dhe studentët nga diaspora kudo që jetojnë, duke ofruar mundësi studimi, integrimi dhe zhvillimi profesional në Kosovë.
Studentëve të rinj u urojmë mirëseardhje në Universitetin e Prishtinës dhe shumë suksese në rrugëtimin e tyre akademik!