Dita e dhjetë e Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës (PISU) vazhdoi me ligjëratat e rregullta dhe një punëtori mbi inteligjencën artificiale, si dhe me një diskutim publik për rolin e të rinjve në procesin e integrimit evropian.
Në Fakultetin Filozofik vazhdoi kursi “Kronobiologjia dhe Mjekësia e Gjumit”, i udhëhequr nga prof. Alain Riveros-Rivera nga Pontificia Universidad Javeriana në Kolumbi dhe dr. Besim Morina nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës.
E ftuar ishte edhe dr. Blerina Dervisholli, specialiste e pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, e cila ligjëroi mbi diagnostikimin, faktorët e rrezikut, komplikimet dhe trajtimin e apnesë obstruktive të gjumit. Gjatë kursit u theksua rëndësia e gjumit dhe e ritmeve biologjike për shëndetin dhe funksionimin e organizmit. Amina Kaja, studente e Fakultetit të Mjekësisë, tha se kursi i ka mundësuar të kuptojë më mirë rëndësinë e gjumit dhe natyrën ciklike të proceseve biologjike në organizëm.
Në Modelarium, në Fakultetin e Arkitekturës, u mbajt punëtoria “Nga algoritmet në veprim: Kuptimi i inteligjencës artificiale në botën reale”, e udhëhequr nga Sergei Oudman, ligjërues dhe hulumtues në Hanze University of Applied Sciences në Groningen të Holandës.
Oudman theksoi se inteligjenca artificiale duhet të përdoret si mjet për të mbështetur dhe përmirësuar punën, e jo për të zëvendësuar njohuritë dhe të menduarit kritik. Në pjesën praktike, pjesëmarrësit testuan mjete të AI-së për krijimin e aplikacioneve të thjeshta dhe analizuan ndikimin e formulimit të udhëzimeve në cilësinë e rezultateve.
Studentet Aleyna Öztürk dhe Elisa Rama e vlerësuan punëtorinë për karakterin praktik dhe interaktiv, si dhe për mundësinë që u dha të kuptojnë më mirë zbatimin e inteligjencës artificiale në fusha të ndryshme të studimit dhe në karrierën e ardhshme.
Programi i ditës vazhdoi në Europe House Prishtina me diskutimin publik “Regional Perspectives of EU Integration: What Is the Role of Youth?”, të organizuar nga Europe House Kosova, me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, në kuadër të mbështetjes së sivjetme për PISU-në.
Paneli mblodhi përfaqësues të institucioneve, akademisë dhe studentë nga Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria. Diskutimi u përqendrua në rolin e të rinjve në procesin e integrimit evropian, mundësitë që ofrojnë programet e mobilitetit dhe shkëmbimeve, përfshirë Erasmus+, si dhe rëndësinë e pjesëmarrjes aktive në jetën demokratike dhe bashkëpunimin rajonal.
U theksua se investimi në arsim, zhvillimin e aftësive, rrjetëzimin rajonal dhe fuqizimin e të rinjve është thelbësor për avancimin e integrimit evropian dhe krijimin e mundësive të reja për brezat e ardhshëm.