Departamenti i Gjeografisë i FShMN-së bëhet anëtar i Association of European Schools of Planning (AESOP)

15 Korrik 2026
SHARE

Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore i Universitetit të Prishtinës - Departamenti i Gjeografisë është bërë anëtar i asociuar i Shoqatës së Shkollave Evropiane të Planifikimit (AESOP), njërit nga rrjetet më të rëndësishme akademike të Evropës për planifikim hapësinor dhe urban. 

Vendimi për pranimin e Departamentit të Gjeografisë është miratuar nga Këshilli i Përfaqësuesve të AESOP-it dhe është konfirmuar zyrtarisht nga Sekretariati i Përgjithshëm i kësaj organizate. Në uebfaqen e organizatëes së njohur u dëshirohet mirëseardhje në AESOP këtij departamenti dhe universiteteve e fakulteteve tjera nga Evropa të pranuara gjatë vitit 2026. 

Duke u anëtarësuar në këtë rrjet, FShMN-së, UP-së dhe Departamentit të Gjeografisë u krijohen mundësi të reja për bashkëpunim akademik dhe shkencor me universitete dhe institucione partnere nga Evropa dhe më gjerë.

Personeli akademik, hulumtuesit dhe studentët e Departamentit të Gjeografisë do të kenë mundësi të marrin pjesë në konferenca, shkolla verore, grupe tematike, rrjete akademike dhe iniciativa të ndryshme të AESOP-it. Gjithashtu, ky anëtarësim do të lehtësojë zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, shkëmbimin e përvojave, mobilitetin akademik dhe krijimin e partneriteteve të reja ndërkombëtare. 

Procesin e anëtarësimit të Departamentit të Gjeografisë në AESOP e udhëhoqi prodekani për cilësi, shkencë dhe bashkëpunim ndërkombëtar në FShMN, prof. asoc. Ferim Gashi. 

AESOP-i është organizata kryesore evropiane e universiteteve dhe institucioneve të arsimit të lartë që ofrojnë programe studimi dhe zhvillojnë veprimtari kërkimore në fushën e planifikimit hapësinor, planifikimit urban dhe zhvillimit territorial. 

Njëri ndër prioritetet kruyesorë të Universitetit të Prishtinës dhe njësive të tij akademike është ndërkombëtarizimi, rrjetëzimi dhe anëtarësimi në organizata të njohura evropiane e globale.