Universiteti i Prishtinës ju fton të merrni pjesë në një punëtori ndërkombëtare për farmakoepidemiologjinë, ekonominë shëndetësore dhe përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale në planifikimet dhe politikat shëndetësore.
Punëtoria Ndërkombëtare „From Evidence to Decision: Pharmacoepidemiology, Health Economics, and AI-Enabled Digital Tools”, është paraparë të mbahet më 23 qershor 2026 në Fakultetin e Mjekësisë.
Ngjarja e rëndësishme i paraprin edicionit të sivjetmë të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës dhe organizohet nga ky universitet në bashkëpunim me Institutin e Farmacisë në Fakultetin e Mjekësisë të UP-së.
Punëtoria ku do të diskutohet e ligjërohet për ndikimin e barnave në grupimet e mëdha të popullatës, ekonominë e proceset rregullatore shëndetësore dhe përdorimin e mjeteve digjitale dhe të inteligjencës artificiale për vendimmarrjen në shëndetësi do të bashkëdrejtohet nga profesoresha e Universitetit Monash të Australisë dhe e afiliuara së fundmi edhe me Universitetin e Prishtinës, prof. Zanfina Ademi, profesori i Universitetit të Utrehtit në Holandë, prof. Olaf Klungel dhe profesori i Universitetit të Prishtinës, prof. Kreshnik Hoti.
Profesoresha Ademi është njëra ndër ekspertet më të njohura ndërkombëtare të ekonomisë së barnave dhe vlerësimit të teknologjive shëndetësore, profesori Klungel është një profesionist i dëshmuar evropian i fushës së farmakoepidemiologjisë, ndërsa profesori Hoti është nga personalitetet kryesore akademike në Kosovë për farmaci dhe shëndet digjital.
Punëtoria do të jetë shumë e dobishme për pjesëmarrësit, pasi me anë të ligjëratave, diskutimeve dhe shembujve praktikë ata do të kuptojnë se si provat shkencore transformohen në politika, rregullore dhe vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në sistemet shëndetësore moderne.
Universiteti i Prishtinës mirëpret në këtë punëtori sidomos profesionistët e shëndetësisë, studentët e studimeve pasuniversitare, hulumtuesit dhe vendimmarrësit që dëshirojnë të thellojnë njohuritë mbi ndërthurjen e shkencës, teknologjisë dhe politikave shëndetësore.