Poema e parë epike e shkruar nga një grua, „La Scanderbeide” (1623), e autores italiane Margherita Sarrocchi, u prezantua në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës „Pjetër Bogdani”.
Hapjen e këtij aktiviteti të rëndësishëm kulturor e historik e bëri profesoresha e Universitetit të Prishtinës dhe drejtoresha e Institutit të Gjuhës dhe të Kulturës Italiane në UP, prof. Majlinda Bregasi. Pastaj fjalë rasti mbajtën ambasadori i Italisë në Republikën e Kosovës, z. Maurizio Antonini, si dhe drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, znj. Blerina Rogova-Gaxha.
Botimin e parë të plotë të veprës „La Scanderbeide”, e prezantoi studiuesja italiane prof.dr.Olimpia Gargano, e cila edhe e ka përgatitur këtë botim. Profesoresha Gargano, e njohur për studimet e saj mbi imazhin e Shqipërisë në kulturën evropiane nga shekulli XVI deri në shekullin XX, është hulumtuese në Université Côte d’Azur.
Edhe historiani i njohur italian, prof.dr.Giuseppe Gargano, prezantoi projektin „Itineraret Kastriotiane” në Amalfi. Gargano është studiues i historisë mesjetare dhe autor i shumë botimeve mbi historinë politike, ekonomike, detare dhe urbanistike të Amalfit, si dhe bashkëpunëtor i universiteteve italiane dhe ndërkombëtare.
Gjithashtu, u inaugurua edhe ekspozita „Këndo, o muzë, trimërinë” – Shqipëria, Italia dhe Perandoria Osmane në poemën e parë epike femërore evropiane, që solli para publikut të përbashkëtat kulturore e historike të dy popujve fqinj.
Ngjarja u organizua nga Instituti i Gjuhës dhe të Kulturës Italiane të Universitetit të Prishtinës, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Ambasada e Italisë në Prishtinë dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit në Kosovë.
Interesimi i madh për poemën „La Scanderbeide” u tregua edhe në masterklasën e zhvilluar sot, në të cilën u regjistruan 70 studentë të Universitetit të Prishtinës.