Është ndarë nga jeta në moshën 75 vjeçare, profesori i anatomisë, ish-dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës dhe veprimtari prof. dr. Alush Gashi.
Universiteti i Prishtinës, me rastin e vdekjes së prof. dr. Alush Gashi, ngushëllon të gjithë profesorët e studentët, ish-kolegët, familjen dhe të pikëlluarit për këtë humbje.
Alush Gashi, i lindur në vitin 1950, kreu studimet në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës në vitin 1974 dhe më pas u bë profesor i anatomisë dhe specialist i kirurgjisë së përgjithshme. Ai doktoroi në Universitetin e Zagrebit në vitin 1979.
Në periudhën më të rëndë të historisë së Universitetit të Prishtinës, gjatë viteve 1989 – 1991, prof. dr. Alush Gashi ishte dekan i Fakultetit të Mjekësisë. Ai ishte profesor vizitor në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Kalifornisë në ShBA dhe gjatë karrierës së tij akademike zhvilloi edhe shumë vizita studimore në Evropë dhe Amerikë. Edhe librat shkencorë e profesionalë që la pas, përveç në Kosovë, u botuan edhe në këto dy kontinente.
Prof. dr. Alush Gashi një jetë të tërë ia kushtoi zhvillimit të shëndetësisë dhe mirëqenies shëndetësore të qytetarëve të Kosovës. Trashëgimia e tij profesionale e intelektuale do të mbetet model që duhet ndjekur nga të rinjtë.