Për herë të tretë radhazi hidhen poshtë të gjitha pretendimet e profesorit Enver Hasani ndaj rektorit Arben Hajrullahu

24 Prill 2026
SHARE

Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë së Apelit, me aktvendim ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e profesorit Enver Hasani, në lidhje me pretendimet se rektori, prof. Arben Hajrullahu, kinse ishte avancuar në profesor të rregullt në vitin 2022 me konflikt interesi.

Kjo është hera e tretë radhazi, që fillimisht trupa e etikës akademike e më pas edhe organet e drejtësisë, në një periudhë kohore brenda më pak se një viti (prill 2025 – mars 2026) rrëzojnë të gjitha pretendimet e profesorit Hasani ndaj rektorit Hajrullahu.

Së pari, denoncimi i profesorit Hasani ishte hedhur poshtë nga Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës, me vendimin e datës 18 prill 2025.

Pastaj, e njëjta gjë ndodhi edhe me kallëzimin penal të këtij profesori ndaj rektorit të UP-së, kur Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, me aktvendimin e datës 20 shkurt 2026, konstatoi se „pretendimet e ngritura nga paraqitësi i kallëzimit penal, Enver Hasani, nuk mbështeten në fakte”.

Dhe tani rektori është njoftuar se edhe Prokuroria e Apelit e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e profesorit Hasani ndaj aktvendimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Pavarësisht pretendimeve të rreme dhe shpifjeve të orkestruara, rektori Hajrullahu, në kuadër të kompetencave të përcaktuara më legjislacionin e Universitetit të Prishtinës, që nga marrja e detyrës në tetor të vitit 2024, bashkë me menaxhmentin, vazhdimisht angazhohet dhe vepron në përputhje me parimet e ligjshmërisë, meritokracisë, transparencës e llogaridhënies.