Puna e pandërprerë e menaxhmentit të UP-së dhe drejtuesve të Fakultetit të Bujqësisë e Veterinarisë (FBV), ka mundësuar që të zhvendoset shtylla e tensionit të lartë pranë objektit të ri. Zyra e Rektorit, prof. Arben Hajrullahu, në bashkëpunim të ngushtë me menaxhmentin e FBV-së dhe falë përkushtimit e angazhimit maksimal ndërinstitucional, ka arritur me sukses të realizojë zhvendosjen e shtyllës së tensionit të lartë që ndodhej pranë ndërtesës së objektit të ri.
Pas më shumë së dhjetë vjetësh mosfunksionimi, është hapur mundësia që objekti i ri i FBV-së të vihet në shfrytëzim nga UP-ja pas largimit të shtyllës së tensionit të lartë ndërkombëtar, respektivisht telave të rrymës në afërsi të objektit. Ky hap i rëndësishëm garanton siguri më të madhe infrastrukturore dhe krijon parakushtet e nevojshme për funksionalizimin e plotë të objektit të ri.
Objekti i ri i këtij fakulteti kishte mbetur i braktisur, ndër të tjera, pasi ishte ndërtuar fare pranë shtyllës së tensionit të lartë elektrik. Për më shumë, kjo shtyllë nuk mund të largohej edhe për shkak të depove të KEDS-it të vendosura në pronën e UP-së.
Personeli i UP-së u detyrua të bllokojë fizikisht e me mjete të rënda hyrjen në këto depo, ndërsa rektori, prof. Arben Hajrullahu për të sqaruar situatën, mbajti edhe një konferencë për gazetarë më 5 dhjetor 2025. Ai atëherë alarmoi për mundësinë reale që FBV-ja të mos akreditohej për mungesë hapësire.
Edhe pse ndërkohë KEDS-i ka larguar depot nga hapësirat afër objektit të ri të FBV-së, aty pranë vazhdohet me shfrytëzimin e paautorizuar të pronave të UP-së nga ndërmarrje afariste.
Rektori, prof. Arben Hajrullahu, apelon te organet kompetente të ndërmarrin menjëherë veprimet e nevojshme për lirimin e pronave të Universitetit të Prishtinës. Pa lirimin edhe të pronave tjera pranë objektit të ri Fakultetit të Bujqësisë e Veterinarisë, nuk do të jetë i mundur funksionalizimi i objektit të këtij fakulteti.
Objekti i ri i FBV-së, i mbetur për më shumë se një dekadë nën mëshirën e kohës, kërkon investime shtesë që të mund të funksionalizohet, në mënyrë që të pranojë studentët e rinj dhe ata ekzistues në shtator të vitit akademik 2026/’27.