Fondacioni „Vesel dhe Nafije Latifi” jep bursat për studentëte UP-së

06 Shkurt 2026
SHARE

Fondacioni „Vesel dhe Nafije Latifi” ka ndarë 40 bursat për studentët e UP-së në vitin akademik 2025/’26. 20 nga këto bursa u janë dhënë studentëve të vitit të parë dhe 20 të tjera atyre të vitit të dytë të nivelit bachelor.

Secila nga bursat e ndara vjetore të Fondacionit „Vesel dhe Nafije Latifi” ka vlerën 500 euro, ndërsa ato i kanë marrë studentët me gjendje jo të mirë ekonomike dhe rezultate të larta mësimore, me qëllimin për ta bërë shkollimin universitar të qasshëm edhe për të gjithë ata që jetojnë larg Prishtinës.

Universiteti i Prishtinës më 12 dhjetor 2025 nënshkroi memorandumin e mirëkuptimit me Fondacionin „Vesel dhe Nafije Latifi”, me të cilin është paraparë dhënia e këtyre bursave përgjatë një periudhe dhjetëvjeçare (2025–2035).

Fondacioni „Vesel dhe Nafije Latifi” është themeluar për nder të profesorit të drejtimit penal në Fakultetit Juridik, prof. Vesel Latifi, i cili ka lënë pas një trashëgimi të bujshme akademike dhe njerëzore. Gjatë karrierës së tij ka botuar shumë libra dhe punime shkencore, duke kontribuuar thellësisht në zhvillimin e jurisprudencës dhe edukimin e brezave të juristëve në Universitetin e Prishtinës e përtej.

Themelimi i Fondacionit nga znj. Nafije Latifi, pas një rrugëtimi të gjatë profesional në gazetari dhe përkushtimi mbi 20 vjeçar humanitar, përfaqëson vazhdimësinë e këtyre vlerave dhe angazhimin për mbështetjen e të rinjve.

Fondacioni i themeluar nga mjetet familjare është rezultat i punës shumëvjeçare të bashkëshortëve Latifi të ndërtuar mbi sakrificë dhe dashuri për brezat e rinj, ku arsimi mbetet prioriteti më i qëndrueshëm!

Universiteti i Prishtinës shpreh mirënjohjen e tij të thellë për znj. Nafije Latifi dhe familjen e saj për kontributin e çmuar dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj studentëve dhe arsimit publik në Kosovë, duke e konsideruar këtë bashkëpunim një model të rëndësishëm të solidaritetit dhe përgjegjësisë shoqërore.