Në mbledhjen e Senatit, më 28 janar 2026, u miratua asociimi edhe me Universitetin e Prishtinës i profesorit të Universitetit Virginia Tech, Besnik Pula.
Deri tash për „kthimin dhe qarkullimin e trurit”, sipas Rregullores për transferim, programin ‘Brain Gain’ dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, të miratuar më 30 prill 2025 nga Senati, janë asociuar (adjunct) 4 profesorë.
Për herë të parë në histori të UP-së, Senati njëzëri miratoi edhe tekstin e betimit për doktorët e shkencës, që do lexohet dhe nënshkruhet nga të diplomuarit në ceremonitë solemne të diplomimit. Po ashtu u miratua korniza e orareve për konkurset e rregullta të UP-së; emërimet, avancimet, rizgjedhjet, promovimet dhe ndarja e çmimeve.
Senati i Universitetit të Prishtinës rishqyrtoi edhe një herë dokumentet për pozitën numër 7 të profesorit asistent në konkursin për emërime dhe avancime në Fakultetin Filozofik të datës 31 maj 2023 dhe vendosi ta rikthejë këtë çështje në Këshillin e Etikës.
U vendos që në rastet kur komisionet recensuese mund të bëjnë shkelje gjatë procesit të vlerësimit për emërime, avancime e rizgjedhje të personelit, ato raste do të barten automatikisht për shqyrtim në Këshillin e Etikës.
U shqyrtuan dhe u miratuan disa nga propozimet për emërime dhe avancime të personelit akademik në Fakultetin e Arteve, Fakultetin Filozofik, Fakultetin e Edukimit, Fakultetin e Shkencave Matematike Natyror dhe në Fakultetin e Mjekësisë si dhe u emëruan tre anëtarë të Senatit në Komisionin për hartimin e Planit Strategjik 2026-2031.
Senati zëvendësoi nga një anëtar të Këshillit të Etikës dhe të dy komisioneve tjera, ndërsa miratoi disa tema të doktoratës.