Ka vdekur në moshën 77 vjeçare Nexhmije Balaj, gruaja e parë e punësuar në administratën e Universitetit të Prishtinës.
Lajmin për vdekjen e zonjës Balaj e ka pritur me dhimbje rektori i këtij universiteti, prof. Arben Hajrullahu.
Duke vlerësuar kontributin e saj në mbarëvajtjen e punëve në institucionin më të rëndësishëm të arsimit të lartë në Kosovë e përtej, rektori Hajrullahu ngushëllon familjen, miqtë, kolegët dhe gjithë të pikëlluarit nga vdekja e zonjës Nexhmije Balaj.
Zonja Nexhmije Balaj ishte pjesë e Universitetit të Prishtinës që nga dita e parë, duke punuar në pjesën administrative teknike të përgatitjeve për Kuvendin themelues të Universitetit më 13 shkurt 1970 dhe mbledhjen solemne të Kuvendit për përurimin e tij, më 15 shkurt 1970.
Më pas ajo u angazhua si asistente teknike në Zyrën e Rektorit, duke punuar aty që nga koha e rektorit të parë, prof. Dervish Rozhajës, e pastaj edhe disa rektorëve tjerë, deri në vitin 1991 kur veprimtaria e Universitetit u zhvendos në objekte private, pas largimit me dhunë nga hapësirat universitare.
Nga viti 1991 deri në vitin 2000, znj. Balaj ka qenë zyrtare për protokoll, ndërsa pas vitit 2000 kreu punën e zyrtares për diploma, pozitë të cilën e mbajti me profesionalizëm deri më 30 mars 2013, kur doli në pension.
Për nder të 53-vjetorit të themelimit të Universitetit, znj. Balaj i është ndarë mirënjohje nga rektori i atëhershëm me motivacionin: „Në shenjë vlerësimi dhe nderimi për angazhimin në periudhën e themelimit të Universitetit të Prishtinës dhe punës së përkushtuar shumëvjeçare në administratën e tij”.
Gratë si zonja Balaj që ia kushtuan një jetë të tërë Universitetit të Prishtinës, do të mbeten në historinë dhe mbamendjen e këtij institucioni duke qenë frymëzim i përhershëm për të gjithë punonjësit e administratës.