Gjatë vitit 2025 personeli akademik i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës publikoi 24 punime shkencore dhe mori pjesë në 14 konferenca. Këto aktivitete u financuan me 39,921.60 euro nga UP-ja.
Njëra nga njësitë më të rëndësishme akademike të Universitetit të Prishtinës nga e cila u krijua baza dhe u zhvillua në vazhdimësi shëndetësia dhe shëndeti publik në Kosovë, pati një vit të mbarë në fushën e kërkimit shkëncor dhe ndërkombëtarizimit.
Personeli akademik i Fakultetit të Mjekësisë publikoi 24 punime shkencore në revista të indeksuara në „Web of Science” dhe „Scopus”, prej të cilave 15 punime në kategoritë SCIE, SSCI dhe AHCI të „Web of Science dhe 8 punime në „Scopus”, të shpërndara në kuartilet Q1–Q4 (2 në Q1, 2 në Q2, 0 në Q3 dhe 4 në Q4). Po ashtu, u botua edhe një kapitull shkencor në një shtëpi botuese të indeksuar në „Web of Science”.
Universiteti i Prishtinës mbështeti këtë fakultet me 22,200 euro për publikimet shkencore dhe me 17,721.60 euro për pjesëmarrjen në 14 konferenca shkencore (11 ndërkombëtare dhe 3 rajonale) ose organizimin e tyre.
Ish-profesori i Fakultetit të Mjekësisë dhe kirurgu me renome botërore i asociuar në Universitetin Shtetëror të Arizonës, prof. Rifat Latifi, në nëntor të vitit 2025 është zgjedhur drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës.
Qendra që do të ofrojë mbështetje në edukim dhe hulumtim për të gjitha degët kirurgjike dhe do të trajtojë çështje të rëndësishme si diplomacia mjekësore dhe teknologjitë e avancuara, u themelua në korrik të vitit 2025, derisa në shtator të këtij viti u nënshkrua memorandum bashkëpunimi mes UP-së dhe Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës për detajet dhe mënyrën e funksionimit të qendrës.
Sivjet përfundoi edhe projekti „NanoKos”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe me aktivitete të organizuara nga Fakulteti i Mjekësisë i UP-së me partnerët Universiteti i Milanos, Universiteti i Parmës dhe Kings College of London. Projekti kishte të bënte me forcimin e kapaciteteve kërkimore në Kosovë në fushën e nanopartikujve në shëndet dhe mjedis.
Edhe një komponentë e rëndësishme e Fakultetit të Mjekësisë — Dega e Stomatologjisë, në vitin 2025 festoi 50 vjetorin e themelimit, derisa në këtë fakultet gjatë 2024-ës nisi për herë të parë evidentimi elektronik i mbajtjes së procesit mësimor me anë të QR kodeve.