Personeli akademik i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në vitin 2025 publikoi tetë punime shkencore dhe mori pjesë në tri konferenca. Këto punime dhe aktivitete shkencore u mbështetën nga Universiteti i Prishtinës me 10,427.50 euro.
Në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike gjatë vitit 2025 iu kushtua kujdes dhe vëmendje avancimit e shpërndarjes së dijes nëpërmjet publikimeve shkencore dhe konferencave e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Personeli akademik i fakultetit që sivjet festoi 58 vjetorin e themelimit, publikoi 8 punime shkencore në revista të indeksuara në „Web of Science” dhe „Scopus”, prej të cilave 5 punime në kategoritë SCIE, SSCI dhe AHCI të „Web of Science” dhe 3 punime në „Scopus”, të shpërndara në kuartilet Q1–Q4 (1 në Q1, 0 në Q2, 1 në Q3 dhe 1 në Q4).
Për këto punime shkencore UP-ja mbështeti njësinë akademike me 7500 euro. Personeli i FIM-it gjatë 2025-ës organizoi ose mori pjesë në 3 konferenca shkencore, të cilat gjithashtu u financuan nga Universiteti i Prishtinës me 2,927.50 euro.
Në këtë fakultet pati shumë aktivitete bashkëpunuese rajonale e ndërkombëtare, lidhje me industrinë e tregun e punës dhe avancimin e mësimdhënies në pajtim me zhvillimet e pandalshme teknologjike.
FIM-i për herë të parë sivjet organizoi Kongresin Ndërkombëtar të Inxhinierisë Mekanike ku u bënë bashkë e diskutuan profesorë, profesionistë, ndërmarrës e studentë nga UP-ja rajoni e bota.
Një profesor i këtij falkulteti, prof. Arbnor Pajaziti patentoi gjatë vitit 2024 në Agjencinë për Pronësi Industriale të Republikës së Kosovës, ventilatorin mekanik me lidhje rivepruese të rregullimit, një pajisje inovative që bën bashkëveprimin mes mekatronikës, industrisë e mjekësisë, ndërsa u materializua me ndihmën e ish-studentit të këtij fakulteti, Petrit Avdyli.
Ideja e ndërtimit të ventilatorit mekanik që u financua nga BE-ja dhe Rektorati i Universitetit të Prishtinës kishte lindur në kohën e përballjes globale me virusin Covid 2019, kur mësimi zhvillohej online dhe kishte nevojë të madhe për pajisje të tilla.