Gjatë vitit 2025 personeli akademik i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit publikoi 9 punime shkencore dhe mori pjesë në 6 konferenca rajonale për të cilat mori mbështetje financiare prej 11,400 eurove nga Universiteti i Prishtinës.
Edhe në vitin 2025, sikurse viteve tjera, profesorët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit vazhduan angazhimet për të çuar përpara dhe avancuar kërkimin shkencor dhe mësimdhënien.
Ata në këtë vit kanë publikuar 9 punime shkencore në revista të indeksuara në Web of Science dhe Scopus, prej të cilave 2 punime në kategoritë SCIE, SSCI dhe AHCI të Web of Science dhe 7 punime në Scopus, të shpërndara në kuartilet Q1–Q4 (1 në Q1, 2 në Q2, 1 në Q3 dhe 3 në Q4). Gjithashtu, profesorët e FIN-it kanë marrë pjesë në 6 konferenca shkencore rajonale.
Univeriteti i Prishtinës për punimet shkencore të realizuara nga personeli i këtij fakulteti dha 5,700 euro. Një shumë e njëjtë, po prej 5,700 eurove, u nda nga UP-ja për pjesëmarrjen në konferenca ose organizimin e tyre.
Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit së bashku me kolegët e tyre nga Universiteti Politeknik i Tiranës organizuan sivjet edicionin e tretë të Konferencës Ndërkombëtare të Inxhinierisë së Ndërtimit (ICCE 2025).
Në të morën pjesë dhe kontribuuan me dijen dhe përvojën e tyre në fushën e ndërtimtarisë, profesorë, studiues dhe profesionistë vendorë e ndërkombëtarë nga SHBA, Kanadaja, Gjermania, Britania e Madhe, Luxemburgu, Polonia, Portugalia, Turqia, Zvicra, Greqia, Austria, Tunizia, Maqedonia e Veriut dhe shumë vende të tjera.
Në këtë fakultet vazhdimisht u kushtohet rëndësi trendëve më të rinj teknologjikë të fushave të inxhinierisë, ndërtimit e arkitekturës, nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme.