Gjatë vitit 2025 personeli akademik i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës publikoi 11 punime shkencore dhe mori pjesë në 24 konferenca shkencore, me mbështetje financiare prej 7,970 eurove nga Universiteti i Prishtinës.
Viti 2025 për personelin akademik dhe studentët e Fakultetit Juridik ishte vit i vazhdimësisë së sukseseve ndërkombëtare dhe avancimit të mësimdhënies e kërkimit shkencor.
Personeli i këtij fakulteti në 2025-ës ka publikuar 11 punime shkencore në revista të indeksuara në „Web of Science” dhe „Scopus”, prej të cilave 2 punime në kategoritë SCIE, SSCI dhe AHCI të „Web of Science” dhe 7 punime në „Scopus”, të shpërndara në kuartilet Q2–Q4 (4 në Q2, 1 në Q3 dhe 2 në Q4).
Po ashtu, personeli ka botuar 2 kapituj shkencorë në shtëpi botuese të indeksuara në „Web of Science”.
Universiteti i Prishtinës ka mbështetur publikimet shkencore me 6,200 euro dhe pjesëmarrjen në konferenca (1 ndërkombëtare dhe 1 rajonale) me 1,770 euro. Në këtë fakultet personeli ishte pjesëmarrës ose organizoi 24 konferenca shkencore.
Fakulteti Juridik ka kohë që merr pjesë dhe i ka pjesë të kurrikulës mësimore disa gara ndërkombëtare në të cilat simulohen procese gjyqësore. Sivjet studentet e Fakultetit Juridik zunë vendin e gjashtë në botë në garën prestigjioze globale të universiteteve „Nuremberg Moot Court 2025”.
Studentët e këtij fakulteti të drejtuar nga mentorët e tyre vitin e kaluar arritën rezultat historik, duke u renditur të tretët në botë në garën „Willem C. Vis International Commercial Arbitration Moot”.