Gjatë vitit 2025 personeli akademik i Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore të Universitetit të Prishtinës publikoi 78 punime shkencore dhe mori pjesë në 24 konferenca. Për këto aktivitete FShMN-ja u mbështet nga UP-ja me 92 mijë e 429 euro.
Personeli akademik i FShMN-së gjatë këtij viti është angazhuar në shumë punime dhe konferenca shkencore, duke treguar nivel të lartë të kërkimit shkencor dhe integritetit akademik.
Profesorët e Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore kanë publikuar 78 punime shkencore në revista të indeksuara në „Web of Science” dhe „Scopus”, prej të cilave 49 punime në kategoritë SCIE, SSCI dhe AHCI të „Web of Science”. Në platformën „Scopus” janë publikuar 26 punime, të shpërndara në kuartilet Q1–Q4 (2 në Q1, 5 në Q2, 14 në Q3 dhe 5 në Q4).
Po ashtu, personeli i këtij fakulteti ka botuar 3 kapituj shkencorë në shtëpi botuese të indeksuara në „Web of Science”.
Universiteti i Prishtinës ka mbështetur stafin akademik të kësaj njësie me një shumë prej 71,100.00 eurove për publikimet shkencore dhe 21,329.00 euro tjera janë dhënë për pjesëmarrjen në 24 konferenca shkencore (11 ndërkombëtare, 11 rajonale dhe 2 kombëtare).
Njëri nga profesorët e këtij fakulteti, prof. Halil Ibrahimi, gjatë punës së tij kërkimore-shkencore, bashkë me ekipin që drejton ka zbuluar disa insekte në disa rajone të Kosovës, duke tërhequr edhe vëmendjen e qarqeve akademike ndërkombëtare. Edhe profesori tjetër i këtij fakulteti, prof. Avni Berisha ka hyrë në mesin e 2 për qind të shkencëtarëve më të cituar në botë.
