Gjatë vitit 2025 personeli akademik i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës publikoi 26 punime shkencore dhe mori pjesë në 14 konferenca shkencore, aktivitete këto të mbështetura me një shumë prej 31,256.50 € nga Universiteti i Prishtinës.
Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës ka shënuar një vit të suksesshëm akademik, duke avancuar në mënyrë të dukshme profilin e tij kërkimor.
Personeli akademik ka publikuar 26 punime shkencore në revista të indeksuara në „Web of Science” dhe „Scopus”, prej të cilave 8 punime në kategoritë SCIE, SSCI dhe AHCI të „Web of Science”, si dhe 16 punime në „Scopus”, të shpërndara në kuartilet Q1–Q4 (6 në Q1, 4 në Q2, 4 në Q3 dhe 2 në Q4). Disa prej këtyre punimeve kanë faktor ndikimi deri në 3.
Po ashtu, personeli i këtij fakulteti ka botuar dy kapituj shkencorë në shtëpi botuese të indeksuara në „Web of Science”.
Universiteti i Prishtinës i ka mbështetur hulumtuesit dhe mësimdhënësit e fakultetit me 19,400 € për publikimet shkencore dhe 11,856.50 € për pjesëmarrjen në 14 konferenca shkencore (7 ndërkombëtare, 6 rajonale dhe 1 kombëtare).
Fakulteti Filozofik që është institucioni arsimor më i vjetër i UP-së, sivjet festoi 65 vjetorin e themelimit me një konferencë ndërkombëtare të titulluar „Shkencat Shoqërore e Humane dhe Ndryshimi”.