Në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarë, duke folur për tendën e KEDS-it në pronën e UP-së që po pengon largimin e shtyllës së tensionit të lartë te objekti i ri i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë dhe funksionalizimin e objektit, rektori, prof. Arben Hajrullahu, tha se ky fakultet për mungesë hapësire të mësimit rrezikon seriozisht të mos akreditohet dhe të mbyllet.
Rektori Hajrullahu bëri të ditur se situata është shumë serioze dhe nuk ka më as edhe një orë për të humbur. „Nuk mund ta zhvillojmë mësimin në ara, por na duhet shtëpi. Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë nuk ka shtëpi”, tha rektori Hajrullahu.
Drejtuesi i Universitetit të Prishtinës tha se UP-ja ka përkrahjen nga të gjitha institucionet publike për zhvendosjen e shtyllës të tensionit të lartë nga afërsia e objektit të FBV-së, por tregoi se KEDS-i nuk ka ndërmarrë asnjë hap për zhvendosjen e depos, edhe pse kjo gjë i është kërkuar edhe zyrtarisht nga universiteti prej fillimit të korrikut të vitit 2025.
Me pamje të marra nga gjeoportali, një platformë online e pronave e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, rektori tregoi se depoja që po rrezikon mbylljen e një fakulteti të rëndësishëm të UP-së, nuk ka ekzistuar para tetor të vitit 2020.
Ai paralajmëroi veprime tjera deri në lirimin e plotë të pronave të UP-së, ndërsa ftoi të gjitha organet e rendit dhe sundimit të ligjit që të merren seriozisht me të gjithë uzurpatorët e hapësirave nën shfrytëzim të Universitetit të Prishtinës.
Me rektorin në konferencën për gazetarë ishin edhe dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, prof Arben Musliu, prodekani Fatgzim Latifi dhe profesori i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, prof. Përparim Ameti.
Për pengesat që KEDS-i po i shkakton funksionalizimit të FBV-së, Universiteti i Prishtinës të martën doli më një sqarim të detajuar.