Disa nga studentët me nevoja të veçanta bashkëbiseduan hapur me drejtuesit e UP-së në Rektorat për nevojën e përmirësimit të vazhdueshëm të kushteve të mësimit, qasjes fizike në objektet universitare dhe mundësitë e punësimit pas kryerjes së studimeve.
Gjatë takimit, nga të dy palët u konstatua se këta studentë janë vlerë e shtuar e Universitetit të Prishtinës dhe duhet t’u krijohet mundësia të jenë të barabartë me të gjithë të tjerët dhe po aq të suksesshëm sa ata.
U vlerësua gjithashtu që UP-ja ka bërë përparime të konsiderueshme në raport me të kaluarën për ofrimin e mundësive më të mira për shkollim të studentëve me nevoja të veçanta dhe se është lehtësuar edhe qasja fizike në objekte, por u tha se gjithnjë ka hapësirë për t’u bërë edhe më mirë.
Nga studentët e pranishëm u shtrua nevoja për më shumë literaturë dhe printim të materialeve në alfabetin Braj(Braille) që përdoret nga personat me shikim të dëmtuar dhe që gradualisht të mundësohet që një student me nevoja të veçanta të arrijë të përgatitet vetë për studime dhe tregun e punës.
U fol gjithashtu edhe për sfidat e punësimit të studentëve që përfundojnë studimet dhe u shikua mundësia që të organizohet ndonjë fushatë vetëdijesuese për zbatimin e Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuar, sipas të cilit organizatat punëdhënëse obligohen që në çdo 50 punëtorë njërin prej tyre ta kenë me nevoja të veçanta.
Edhe vitin e kaluar, drejtuesit e UP-së pritën studentët me nevoja të veçanta më 3 dhjetor 2024, në ditën ndërkombëtare të tyre. 20 nga këta studentë të UP-së janë në mesin e përfituesve të bursave për vitin akademik 2023/’24 dhe 2024/’25.