Revista „Kosova Anthropologica” i bashkohet nismës globale „Open Journals Collective” 

26 Nëntor 2025
SHARE

„Kosova Anthropologica” revista që botohet nga Departamenti i Antropologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës është pranuar në nismën globale „Open Journals Collective” (OJC). 

Kryeredaktori i „Kosova Anthropologica”, prof. Arsim Canolli, pranimin e revistës në OJC e vlerësoi si mundësi të mirë për ndihmë dhe vazhdim të bashkëpunimit ndërkombëtar. 

„Jemi mirënjohës që i bashkohemi këtij rrjeti të ri të revistave akademike me qasje të hapur të tipit diamond open access, siç është edhe revista jonë. ,Kosova Anthropologica’ do të përfitojë nga mbështetja që ofrohet nga kjo nismë”, tha profesori Canolli. 

Si anëtare botuese e rrjetit OJC, revista e Departamentit të Antropologjisë mund të përfitojë ndihmë financiare për aktivitete botuese që do të respektojnë standardet transparente dhe etike të „Open Journals Collective”.

OJC-ja është një nismë ndërkombëtare, jofitimprurëse, që mbështet revista të udhëhequra nga komuniteti akademik dhe të drejtuara nga studiues, të cilat janë të përkushtuara të botojnë kërkime shkencore me cilësi të lartë, falas për lexuesit dhe pa tarifa për autorët. 

Po në nëntor, nëpërmjet  revistës „Kosova Anthropologica”, Universiteti i Prishtinës u anëtarësua edhe në rrjetin e njohur evropian EDCH/DIAMAS, që synon fuqizimin e hulumtimeve akademike të tipit të hapur dhe pa pagesë për autorët dhe lexuesit. 

Kjo revistë në janar 2025 u pranua edhe në databazën e njohur botërore Directory of Open Access Journals (DOAJ), ndërsa në muajin tetor 2025 krahas emrit të revistës „Kosova Anthropologica” në këtë databazë u vendos edhe emri i shtetit të Kosovës

Anëtarësimi në këto organizata globale do t’i ndihmojë revistës „Kosova Anthropologica” dhe Universitetit të Prishtinës për ndërkombëtarizim, rrjetëzim, partneritet dhe avancim të kërkimit shkencor antropologjik të Kosovës.