Gjatë javës së fundit të kursit “Filmi etnografik”, të organizuar në kuadër të Shkollës Verore të Antropologjisë të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës, ligjëruar nga Eralda Lameborshi, nga Universiteti East Texas, dhe Arsim Canolli, nga Universiteti i Prishtinës, studentët dolën nga klasa për dy ditë p ë r t ë realizuar vizita në terren dhe për t'u njohur nga afër me histori, peizazhe, muze, objekte, tradita, ushqime dhe forma të ndryshme të kujtesës kulturore në Krushë të Madhe dhe në Mitrovicë.
Më 14 korrik, studentët udhëtuan drejt Krushës së Madhe, ku vizituam Muzeun e Masakrës së Krushës së Madhe, fermën “Korr e Ha n’Katun” dhe restorantin “Bella Agroturizëm”.
Vizita në Muzeun e Masakrës ofroi një njohje të fortë dhe thellësisht prekëse me masakrën e kryer nga forcat serbe ndaj shqiptarëve dhe ashkalive të Krushës së Madhe në mars të vitit 1999. Evan Griffith, student nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha:
“Vizita jonë, e udhëhequr nga një i mbijetuar i cili ishte tetë vjeç kur ndodhi ngjarja, ishte një mësim tejet prekës për këtë histori të rëndësishme të së kaluarës së afërt të Krushës së Madhe, e cila shpeshherë lihet në harresë. Muzeu paraqiste intervista me të mbijetuarit, artefakte të masakrës, sende personale të viktimave dhe shumë materiale të tjera.”
Muzeu bashkon intervista me të mbijetuarit, fotografi, sende personale të viktimave, objekte të gjetura pas masakrës, materiale dokumentuese dhe forma të tjera të dëshmisë. Gjatë diskutimit u diskutua se si një muze lokal mund të shndërrohet në hapësirë zije, edukimi publik, kujtese kolektive dhe drejtësie memoriale. Kjo përvojë ngriti gjithashtu pyetje të rëndësishme rreth mënyrave se si historitë traumatike dokumentohen, rrëfehen, ekspozohen, filmohen dhe u transmetohen brezave të ardhshëm.
Pas largimit nga muzeu, grupi vizitoi “Korr e Ha n’Katun”, një fermë të bukur, të mbushur me lule të egra, manaferra, mollë, arra, perime dhe shumë bimë e fruta të tjera. Studentët shijuan shalqi dhe kumbulla të sapovjela, ndërsa biseduan me fermerët rreth kultivimit, punëve stinore, njohurive vendëse dhe marrëdhënieve ndërmjet njerëzve, tokës dhe ushqimit.
Fermerët shpjeguan se sa shumë kënaqen duke u treguar vizitorëve prej nga vjen ushqimi dhe përse është e rëndësishme të kuptohen puna dhe proceset natyrore që qëndrojnë pas asaj që hamë. Vizita ofroi një përballje tjetër etnografike, por po aq të vlefshme, të përqendruar në bujqësi, njohuritë mjedisore, punën e përditshme, mikpritjen dhe përjetimin shqisor të jetës rurale.
Dita përfundoi me një darkë bujare në “Bella Agroturizëm”, ku studentët shijuan një përzgjedhje të gjerë gatimesh tradicionale shqiptare, të përgatitura me përbërës të freskët nga fermat vendëse. Veçanërisht për studentët ndërkombëtarë, kjo tryezë ofroi mundësinë që kulturën ushqimore shqiptare ta përjetonin jo vetëm përmes shpjegimit, por edhe përmes shijes, bisedës, mikpritjes dhe ngrënies së përbashkët.
Më 15 korrik, grupi udhëtoi drejt veriut për të njohur trashëgiminë kulturore, gjeologjike, industriale dhe arkeologjike të Mitrovicës. Në Muzeun e Kristaleve të Trepçës, studentët u njohën me pasurinë e jashtëzakonshme minerare të kompleksit të minierave të Trepçës. Koleksioni i rrallë i kristaleve, mineraleve dhe ekzemplarëve gjeologjikë zbuloi bukurinë e fshehur nën peizazhin e rajonit, duke hapur njëkohësisht biseda rreth minierave, punës, industrisë, burimeve natyrore dhe rëndësisë historike të Trepçës. Studentët mësuan gjithashtu për historinë e Trepçës dhe grevat e minatorëve.
Kristalet shumëngjyrëshe dhe me forma të pazakonta u mundësuan studentëve të vëzhgonim se si materialet natyrore shndërrohen në ekzemplarë shkencorë, objekte muzeore, forma estetike dhe simbole të identitetit rajonal. Vizita dëshmoi se antropologjia mund të nisë nga njerëzit dhe marrëdhëniet shoqërore, por ajo mund të ndjekë gjithashtu objektet, materialet, peizazhet dhe ndërlidhjet e ndërlikuara ndërmjet natyrës, punës, ekonomisë dhe kulturës.
Studentët vizituan edhe Muzeun e Mitrovicës, ku udhëtuan përmes periudhave të ndryshme historike dhe formave të shumta të kulturës materiale. Ekspozitat përfshinin fosile, objekte arkeologjike nga periudha e neolitit, artefakte historike, veshje tradicionale, qëndisje, punime me dantella, objekte shtëpiake dhe shembuj të tjerë të trashëgimisë së pasur kulturore të rajonit.
Diskutimi u mundësoi studentëve të mendonin se si muzetë e organizojnë kohën, i përzgjedhin objektet, i ndërtojnë rrëfimet historike dhe i lidhin periudhat e largëta të jetës njerëzore. Nga artefaktet parahistorike deri te tekstilet e punuara me mjeshtëri, qëndisjet dhe dantellat, ekspozitat dëshmuan larminë e shkathtësive, traditave, praktikave estetike dhe formave të përditshme të krijimtarisë të ruajtura në muze.
Këto dy ditë e shndërruan Kosovën në një terren të zgjeruar etnografik. Vizitat ishin ushtrime të vëzhgimit të vëmendshëm, dëgjimit, pjesëmarrjes, bisedës dhe reflektimit, praktika këto të punës etnografike në terren dhe të realizimit të filmit etnografik.
Përmes muzeve, dëshmive të të mbijetuarve, fermave, tryezave të përbashkëta, mineraleve, objekteve arkeologjike, tekstileve dhe peizazheve, studentët e përjetuan antropologjinë si si mastare të diversitetit dhe reprezentimit të kulturës: duke vështruar me kujdes, duke dëgjuar dhe filmuar me respekt, duke shtruar pyetje dhe duke mësuar nga njerëzit, vendet, materialet dhe historitë që takuan gjatë këtij rrugëtimi.