Universiteti i Prishtinës nga viti akademik 2026/’27 do t’u ofrojë kuota të vendeve të rezervuara, mundësi studimi, edhe të rinjve nga komunitetet e arbëreshëve të Italisë, arbneshëve të Zarës, shqiptarëve të Turqisë dhe pjesëtarëve të diasporës me prejardhje nga Kosova.
Vendimin për ofrimin e kuotave të studimit për këto komunitete e mori Senati i Universitetit të Prishtinës në mbledhjen e zhvilluar më 20 shkurt 2026.
Me vendim, nga 1 për qind e vendeve të lira për studentët e rinj që do të pranohen çdo vit, do të jenë të rezervuara për kandidatët nga radhët e arbëreshëve të Italisë, arbneshëve të Zarës dhe shqiptarëve nga Turqia, ndërsa 2 për qind e këtyre vendeve janë paraparë për diasporën me origjinë nga Kosova.
Kandidatët për këto vende të lira studimi do t’u nënshtrohen procedurave të pranimit të parapara me legjislacionin e Universitetit të Prishtinës, në një proces të drejtë e transparent nga i cili do të përzgjidhen më meritorët.
Kuotat e përcaktuara nga Universiteti i Prishtinës për arbëreshët nga Italia, arbneshët e Zarës, shqiptarët e Turqisë dhe diasporën me prejardhje nga Kosova, janë miratuar edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Kosovës. Universiteti i Prishtinës ka vende të rezervuara edhe për studentë nga komunitetet joshumicë dhe vendet fqinje të Kosovës.
Ky institucion i arsimit të lartë është universiteti më i madh, më i vjetër e më i rëndësishëm i Kosovës dhe i rendituri më së larti në platformat prestigjioze ndërkombëtare nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe në Ballkanin Perëndimor dhe në botë.