UP-ja nënshkruan memorandum mirëkuptimi me CIHEAM Montpellier dhe CIHEAM Zaragosa

04 Qershor 2026
SHARE

Në kuadër të përpjekjeve për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, Universiteti i Prishtinës ka nënshkruar dy memorandume mirëkuptimi me  CIHEAM Montpellier dhe CIHEAM Zaragosa, institute të Qendrës Ndërkombëtare për Avancimin e Studimeve Agronomike Mesdhetare (CIHEAM).

Këto memorandume synojnë forcimin e bashkëpunimit në fushën e trajnimeve, hulumtimeve shkencore, aktiviteteve të përbashkëta ndërkombëtare, si dhe zhvillimin e nismave dhe projekteve të veçanta me interes të përbashkët.

Në kuadër të bashkëpunimit me CIHEAM Zaragoza dhe CIHEAM Montpellier, Universiteti i Prishtinës do të angazhohet në identifikimin e programeve dhe mundësive të financimit për projekte kërkimore brenda kornizave evropiane të bashkëpunimit. Po ashtu, palët do të bashkëpunojnë në ngritjen e kapaciteteve në fushat e bujqësisë, sigurisë ushqimore, zhvillimit rural dhe adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike.

Memorandumet u nënshkruan nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, drejtori i CIHEAM Zaragosa, z.  Raúl Compés López dhe drejtori i CIHEAM, Montpellier z.Thierry Dupeuble.

Gjatë takimit, rektori Hajrullahu u prezantoi mysafirëve historinë, strukturën organizative dhe zhvillimet aktuale në Universitetin e Prishtinës. Ndërkaq, drejtorët López dhe Dupeuble ndanë informacione mbi aktivitetet dhe prioritetet e CIHEAM Zaragoza dhe CIHEAM Montpellier. Rektori Hajrullahu theksoi se qëllimi i këtyre marrëveshjeve është ndërlidhja e njerëzve dhe institucioneve me interesa të përbashkëta akademike e hulumtuese.

Në ceremoninë solemne morën pjesë edhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbime akademike, prof. Rozafa Basha, profesoresha në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, prof. Blerta Mehmedi-Kastrati dhe profesori i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, prof. Përparim Ameti.

CIHEAM-i është organizatë ndërqeveritare mesdhetare, në të cilën bëjnë pjesë 13 shtete anëtare nga rajoni i Mesdheut. Organizata vepron nëpërmjet katër instituteve të vendosura në Itali, Greqi, Francë dhe Spanjë, ndërsa selinë e ka në Paris.

Rritja e pranisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar mbetet një nga prioritetet kryesore të Universitetit të Prishtinës, krahas angazhimit të vazhdueshëm për të mirën e përgjithshme publike.