UP-ja dhe kompania „Cacttus” lidhin marrëveshje për transformim digjital dhe inovacion

04 Qershor 2026
SHARE

Universiteti i Prishtinës dhe kompania „Cacttus” nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi që lidhet me ndërveprimin strategjik për zhvillim akademik, transformim digjital dhe inovacion.

Me memorandum është paraparë bashkëpunimi i ndërsjellë në fushat e digjitalizimit, qëndrueshmërisë digjitale, teknologjive inteligjente dhe të avancuara gjithnjë në zhvillim, inteligjencës artificiale dhe sistemeve të bazuara në të dhëna, sigurisë kibernetike, inovacionit, kërkimit shkencor dhe ndërmarrësisë.

Bashkëpunimi do të jetë multidisiplinar dhe në të do të përfshihen disa nga njësitë akademike të UP-së, ndërsa qëllimi kryesor është forcimi i kompetencave digjitale dhe kapaciteteve inovative të mësimdhënies e kërkimit shkencor. Memorandumi u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe kryesuesi i Bordit të „Cacttus”-it, z. Armend Malazogu.

Rektori Hajrullahu uroi që mes palëve të rritet partneriteti e të bashkohen forcat për të ofruar shërbime ndaj institucioneve lokale e qendrore, duke aplikuar me projekte edhe në fondet zhvillimore të BE-së, ndërsa z. Malazogu paralajmëroi që bashkëpunimi do të jetë intensiv, i frytshëm dhe i kohës në të cilën jetojmë.

U përmend mundësia e bashkëpunimit të kompanisë „Cacttus” me Qendrën për Inteligjencë Artificiale në Universitetin e Prishtinës (AIUP) që u themelua në mars të vitit 2025 dhe përdorimi i teknologjive inteligjente me ekspertë të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë për identifikimin e dëmtuesve të kulturave bujqësore në Kosovë.

Profesorët dhe ekspertët nga ky fakultet janë të përfshirë edhe në një projekt me KFOR-in amerikan për identifikimin e rriqrave dhe parazitëve të rrezikshëm në zonën e bazës ushtarake „Bondsteel”. Po sot UP-ja nënshkroi memorandume bashkëpunimi edhe me CIHEAM Zaragosa dhe CIHEAM Montpellier për ngritje të kapaciteteve në fushat e bujqësisë, sigurisë ushqimore, zhvillimit rural dhe adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike.