Takim mëngjesi në rektorat me pjesëmarrësit ndërkombëtarë të Konferencës për Zbatimin e Algjebrës Kompjuterike

02 Qershor 2026
SHARE

Pjesëmarrësit e edicionit të 31-të të Konferencës Ndërkombëtare për Zbatimin e Algjebrës Kompjuterike nga vende të ndryshme të botës vizituan sot Rektoratin e Universitetit të Prishtinës.

Konferenca që lidh përdorimin praktik të matematikës në algoritmet dhe aplikacionet kompjuterike, organizohet sivjet nga Departamenti i Matematikës i Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore në Universitetin e Prishtinës dhe tradicionalisht bën bashkë profesionistë e profesorë të aplikimeve të algjebrës kompjuterike.

Të shoqëruar nga dekani i FShMN-së, prof. Kajtaz Bllaca dhe prof. Qëndrim Gashi, mysafirët nga 12 shtete të botës u pritën nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu.

Para të pranishmëve, me të cilët e piu kafenë e mëngjesit në oborrin e rektoratit, rektori Hajrullahu tregoi historinë e Universitetit të Prishtinës që nga themelimi në fund të viteve ’60 e deri në ditët e sotme. Tha se mëton rritjen e bashkëpunimit të brendshëm mes njësive akademike të UP-së, rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe digjitalizimin e të gjitha proceseve. Synimi është ardhja e botës në UP dhe dërgimi i UP-së në botë, theksoi rektori Hajrullahu.

Ai foli me profesorët ndërkombëtarë edhe për historinë e Kosovës dhe Ballkanit si një hapësirë gjeografike mes perandorive dhe interesave të ndryshëm.

Në emër të pjesëmarrësve të Konferencës Ndërkombëtare për Zbatimin e Algjebrës Kompjuterike për mikpritjen në rektorat dhe praninë në Kosovë, falënderoi, profesori i Shkollës së Shkencave Kompjuterike „David R. Cheriton” në Universitetin e Vaterlosë së Kanadasë, prof. Stephen Watt.

Gjatë konferencës që do të zhvillohet nga 1 deri më 5 qershor 2026 në Universitetin e Prishtinës, në sesione të ndryshme do të diskutohet, mes tjerash, për zbatimin e algjebrës kompjuterike në mësimdhënie dhe shkencat e natyrës, për teoritë e kodimit, algoritmeve dhe grupeve kombinatorike dhe aplikacionet e tyre.