Studentët e Universitetit VIVES prezantojnë rezultatet e hulumtimit të tyre në Universitetin e Prishtinës

02 Qershor 2026
SHARE

Prorektorja për  ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. asst. dr. Rozafa Basha, priti në takim gjashtë studentë ndërkombëtarë nga VIVES University of Applied Sciences, nga Belgjika, të cilët po realizojnë praktikën profesionale dhe hulumtimin për temën e diplomës në fushën e kujdesit dhe shërbimeve për personat e moshuar në Kosovë.

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të programit Erasmus+, në bashkëpunim me Departamentin e Punës Sociale të Universitetit të Prishtinës, nën mentorimin e prof. asoc. dr. Njomza Llullaku dhe dr. asst. Rita Selimi.

Gjatë takimit, studentët prezantuan para prorektores Basha një pjesë të punës së tyre kërkimore dhe gjetjet paraprake të projektit “Wellbeing and Safety of Elderly People: Practical Suggestions for High-Quality Care Services in Kosovo”, i cili synon të kontribuojë në kuptimin më të mirë për nevojat e personave të moshuar dhe të ofrojë rekomandime konkrete për avancimin e shërbimeve sociale dhe të kujdesit për të moshuarit në Kosovë.

Në kuadër të këtij projekti, studentët kanë realizuar vizita në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë dhe në qendra ditore për të moshuarit, ku janë njohur nga afër me praktikat profesionale, programet mbështetëse dhe përvojat e përfituesve të këtyre shërbimeve.

Me këtë rast, prorektorja Basha i përgëzoi studentët për cilësinë e punës së tyre, përkushtimin dhe rezultatet e arritura gjatë angazhimit të tyre në Kosovë. Ajo gjithashtu vlerësoi lart punën e prof. asoc. dr. Njomza Llullaku dhe dr. asst. Rita Selimi për mentorimin e studentëve ndërkombëtarë dhe për angazhimin e vazhdueshëm në bashkëpunimin me akademikë e institucione ndërkombëtare. Sipas saj, këto iniciativa përfaqësojnë një kontribut të rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të Universitetit të Prishtinës dhe në forcimin e profilit të tij ndërkombëtar.

Universiteti i Prishtinës mbetet i përkushtuar ndaj promovimit të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar, shkëmbimit të njohurive dhe praktikave më të mira, si dhe krijimit të mundësive për studentë dhe personel akademik që të kontribuojnë për zhvillimin e arsimit, kërkimit shkencor dhe shërbimit ndaj komunitetit.