Universiteti i Prishtinës përtëriu sot marrëveshjen e bashkëpunimit me organizatën joqeveritare „Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”.
Marrrëveshja synon krijimin e një kornize të bashkëpunimit mes të dy palëve për mbështetjen e studentëve romë, ashkali e egjiptianë gjatë studimeve universitare.
Me marrëveshje është paraparë që mbështetja e studentëve të tri komuniteteve të bëhet me anë të mekanizmave ekzistues institucionalë, por edhe me krijimin sipas nevojës të mekanizmave të rinj mbështetës.
Marrëveshja u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe menaxheri për edukim në „Zërin e Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, z. Orhan Butic.
Rektori Hajrullahu tha se UP-ja po mundohet ta bëjë më të mirën për të ofruar mundësi të barabarta, ndërsa zëvendësdrejtori i programit, z. Butic tha se fokusi i marrëveshjes duhet të jetë shtimi i inkuadrimit të studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës.
E pranishme në takim dhe gjatë nënshkrimit të marrëveshjes ishte edhe prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, prof. Majlinda Gjelaj dhe zyrtarja e programit të edukimit në „VORAE”, Fortesa Shasivari.
Në gusht të vitit 2025, drejtues të Universitetit të Prishtinës qenë takuar me zyrtarë të organizatës „VORAE” dhe deputetin e komunitetit ashkali, z. Arton Asllani. Përfaqësues të „VORAE”-s kishin ardhur në rektorat edhe kur udhëheqësit e UP-së u takuan me krerët e organizatave joqeveritare, të specializuara për çështjet e arsimit.
Në universitetin e Prishtinës 12 për qind të vendeve të lira për studentë në secilin vit akademik janë të rezervuara për komunitetet joshumicë.
