Gjatë javës së shkuar prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik në Universitetin e Prishtinës, prof. Rozafa Basha, së bashku me pjesëtarë të menaxhmentit dhe profesorët e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), zhvilloi vizitë intensive, produktive dhe frymëzuese në Luksemburg.
Delegacioni i UP-së mori pjesë në një vizitë zyrtare në Universitetin e Luksemburgut, gjatë së cilës u zhvilluan aktivitete të ndryshme, përfshirë pjesëmarrjen në Ditën e Partneritetit të SnT-së dhe disa takime të rëndësishme për bashkëpunimin e ardhshëm, bashkëpunimin kërkimor si dhe mundësitë për të zgjeruar dhe forcuar më tej marrëdhëniet midis dy institucioneve.
Një takim i hapur dhe konstruktiv u zhvillua me prorektoren për partneritete dhe marrëdhënie ndërkombëtare të Universitetit të Luksemburgut, prof. Marie-Hélène Jobin. Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, u theksuan besimi, miqësia dhe bashkëpunimi produktiv që është ndërtuar gjatë dy vjetëve të fundit. Pjesëmarrësit eksploruan mundësi konkrete për vazhdimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit, duke përfshirë edhe projekte të përbashkëta në kuadër të Horizon Europe.
Një pjesë e rëndësishme e vizitës ishte edhe pjesëmarrja në prezantimet e progresit të hulumtimit të gjashtë studentëve të FIEK-ut të Universitetit të Prishtinës, të cilët aktualisht po zhvillojnë temat e masterit në fushën e sigurisë kibernetike në Universitetin e Luksemburgut, nën mentorimin e profesorëve të SnT-së. Delegacioni pati mundësi të dëgjojë edhe prezantimin e planit kërkimor të doktoratës nga një student i saporegjistruar në studimet e doktoratës në Universitetin e Luksemburgut, i cili vitin e kaluar ishte pjesë e grupit të studentëve të FIEK-ut në SnT për zhvillimin e temës së masterit. Këto përvoja tregojnë vazhdimësinë e bashkëpunimit dhe krijimin e mundësive të reja akademike e kërkimore për studentët e UP-së.
Gjatë qëndrimit në Luksemburg, delegacioni vizitoi edhe Luxembourg House of Cybersecurity, institucionin kombëtar të Luksemburgut për koordinim dhe kompetencë në fushën e sigurisë kibernetike, si dhe The LHoFT - Luxembourg House of Financial Technology dhe AI Experience Center, që ndodhet në kuadër të LHoFT-së — të gjitha këto jashtëzakonisht mbresëlënëse për delegacionin. Këto vizita ofruan mundësinë për të parë nga afër qasjen strategjike të Luksemburgut ndaj investimeve në inovacion, inteligjencë artificiale dhe ndërmarrësi të udhëhequr nga teknologjia.
Vizita u organizua dhe u mbështet nga SnT dhe LuxDev, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Universitetin e Prishtinës dhe Universitetit të Luksemburgut.
Profesor Marcus Voelp dhe Prof. Carlo Duprel ishin dy profesorët nga Qendra SnT në Universitetin e Luksemburgut që dhanë leksione në edicionin e parë të “Warm UP”, Shkollën Dimërore të Universitetit të Prishtinës për Studimet Doktorale.