Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës gjatë prezantimit të gjetjeve nga një hulumtim për diasporën shkencore kosovare, u tha se çereku i të anketuarve (33%) nga kjo diasporë synojnë të kthehen në Kosovë, ndërsa 44 për qind prej tyre ende nuk janë përcaktuar nëse do të kthehen ose jo.
Hulumtimi me titullin „Diaspora e Re Shkencore nga Kosova: Madhësia, Karakteristikat dhe Mundësitë e Kthimit e të Bashkëpunimit”, i hartuar nga profesori emeritus i gjeografisë në Universitetin e Suseksit të Britanisë së Madhe, Russell King dhe drejtori i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale në Tiranë, Ilir Gëdeshi, u bë me 492 persona që plotësuan pyetësorin online dhe nga intervista me 14 individë nëpërmjet platformave elektronike në distancë.
I mbështetur nga organizata Friedrich Ebert Stiftung dhe Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale, hulumtimi gjeti se diaspora shkencore kosovare ka 1000 persona me studime të përfunduara të doktoratës, që përbën çerekun e doktorëve aktualë të shkencës në Kosovë.
Rektori, prof. Arben Hajrullahu, në fjalën e tij para të pranishmëve, tha se me diasporën shkencore kosovare duhet krijuar marrëdhënie, ashtu si kjo fjalë shqipe, që ata të mos ndihen që vetëm po japin, por në të njëjtën kohë edhe të marrin.
Kjo diasporë, sipas rektorit Hajrullahu, do ta çojë UP-në në botë dhe do ta sjellë botën në UP. Rektori konstatoi se potencialin e madh të diasporës shkencore duhet vënë në punë për të mirën e universitetit dhe Kosovës tash, sepse nuk do të jetë gjithmonë kjo lidhje e ngushtë mes diasporës dhe vendlindjes ose vendlindjes së prindërve.
Ai tha se brenda një viti me Universitetin e Prishtinës janë afiliuar gati dhjetë profesorë, profesionistë e hulumtues nga diaspora shkencore që punojnë në 400 universitetet më të njohura të globit në bazë të Rregullores për transferim, programin ‘Brain Gain’ dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, të miratuar më 30 prill 2025 nga Senati i UP-së.
Gjatë prezantimit të hulumtimit, që u drejtua nga menaxherja e programeve në Zyrën e Friedrich Ebert Stiftung në Kosovë, Rudina Nallbani-Hoxha, folën edhe ish-zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi dhe menaxherja e programeve në Zyrën e Friedrich Ebert Stiftung në Shqipëri, Jonida Smaja. Fjalën e morën edhe njohës të çështjeve të arsimit dhe diasporës.
Profesorët e afiliuar nga diaspora në UP, kanë filluar ligjëratat e tyre. UP-ja vitin e kaluar organizoi edhe Forumin „Bashkë në Shkencë: Universiteti i Prishtinës dhe Diaspora Akademike”