Ndërkombëtarizimi dhe rrjetëzimi: UP-ja forcon lidhjet me Universitetin e Pecs-it të Hungarisë

15 Maj 2026
SHARE

Një grup profesorësh, doktorantët dhe hulumtuesish nga Instituti i Gjeografisë dhe Shkencave të Tokës në Fakultetin e Shkencave të Universitetit të Pecs-it në Hungari të shoqëruar nga profesori nga Departamenti i Gjeografisë, prof. Arsim Ejupi, vizituan Rektoratin e Universitetit të Prishtinës për të shikuar mundësitë e forcimit të bashkëpunimit.

Delegacionin nga Hungaria e priti prorektorja për ndërkombëtarizim dhe zhvillim akademik, prof. Rozafa Basha që i njoftoi mysafirët me historinë, rezultatet të tashmen dhe të ardhmen e Universitetit të Prishtinës.

Prorektorja Basha në takimin me profesorët hungarezë, e vlerësoi lart bashkëpunimin e deritashëm të UP-së me universitetet nga Hungaria, derisa tregoi se universiteti ndërvepron me shumë institucione të arsimit të lartë në Evropë, ShBA dhe disa shtete aziatike.

Kreu i delegacionit hungarez dhe shefi i Institutit të Gjeografisë, prof. Peter Remenyi, bëri të ditur se Universiteti i Pecs-it ka 25 mijë studentë, 5700 nga të cilët janë ndërkombëtarë. Ai tha se shumica e programeve të studimit në këtë universitet janë edhe në gjuhën angleze, derisa tregoi se njëri nga studentët është nga Universiteti i Prishtinës.

Profesorët, doktorantët dhe hulumtuesit hungarezë po qëndrojnë në Kosovë, në kuadër të një ekspedite hulumtuese në Ballkanin Perëndimor, të titulluar „Udhëtim nëpër ‘tokat shqiptare’ të ndara me kufij shtetërorë”, gjatë së cilës po shoqërohen nga profesori i Departamentit të Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, prof. Arsim Ejupi.

Profesorët e kësaj ekspedite, Peter Remenyi dhe Norbert Pap për studentët e Departamentit të Gjeografisë të FSHMN-së mbajtën një ligjëratë me titullin „Gjeografia Politike e Hungarisë: Sfidat Gjeopolitike Moderne dhe Orientimi Strategjik”.

Në qershor të vitit 2025 Universiteti i Prishtinës nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me gjashtë universitete hungareze.