Profesorët nga diaspora akademike të afiliuar me UP-në që punojnë në 400 universitetet më të njohura të botës, kanë filluar t'u ligjërojnë studentëve të Universitetit të Prishtinës për tema e fusha të ndryshme, herë me prani fizike e herë nëpërmjet platformave të mësimit në distancë.
Vetëm ditëve të fundit, në Fakultetin e Mjekësisë dhe Fakultetin Filozofik, ligjëratat e tyre në pajtim me specializimet që kanë i zhvilluan mjeku i njohur onkolog dhe profesori i Universitetit Shtetëror të Ohajos, prof. Dukagjin Blakaj dhe ish-studenti i Universitetit të Prishtinës, tash profesor në Universitetin e Qytetit të Dublinit (DCU), prof. Gëzim Visoka.
Profesori Visoka, që është edhe bashkëpunëtor kërkimor dhe hulumtues në Universitetin e Oksfordit, i ftuar në lëndën Politika botërore, që po ofrohet edhe në këtë semestër nga profesori dhe rektori Arben Hajrullahu, ligjëroi sot në Departamentin e Shkencës Politike të Fakultetit Filozofik për temën „Globalizmi dhe De-globalizmi”.
Prof. Visoka, ndër të tjera, tha se Kosova kishte fat që ndërhyrja e NATO-s ndodhi në kohën e lulëzimit të globalizmit liberal (1990 – 2007), e të mbështetur nga shumë shtete demokratike të botës. Ai bëri të ditur se në shumë raste globalizmi ofroi mundësi për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore e arsimore, zhvilloi ekonominë, integroi teknologjinë, por shkaktoi edhe pabarazi të reja dhe shfrytëzim social. Profesori i njohur tregoi se aktualisht po ndodh një lloj procesi i de-globalizmit kur disa shtete, mes tyre edhe ShBA-ja, po u kthehen sovranitetit e kufijve të tyre shtetërorë, duke dalë nga marrëveshjet dhe traktatet e ndryshme ndërkombëtare të nënshkruara më parë.
Profesori Visoka, bashkë me studentët e Departamentit të Shkencës Politike dhe profesorin e rektorin Hajrullahu, analizuan edhe Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, të vitit 2025. Nga diskutimet u konkludua se ShBA-ja nuk e projekton më veten si superfuqi intervencioniste, por si shtet i fuqishëm që përfshihet vetëm në çështjet me interes strategjik për të.
Të premten më 8 maj 2026, në një ligjëratë të organizuar nga profesoresha e UP-së dhe shefja e Katedrës së Radiologjsë, Mjekësisë Nukleare dhe Onkologjisë në Fakultetin e Mjekësisë, prof. Kreshnike Dedushi, mjeku me karrierë ndërkombëtare, Dukagjin Blakaj ligjëroi për rrezatimin e hipofraksionuar dhe imunoterapinë te pacientët me kancer të përsëritur/përhershëm të kokës dhe qafës.
Profesori dhe onkologu Blakaj foli për imunoterapinë, njërën nga metodat më të reja të trajtimit të kancerit, që nxit sistemin imun të organizmit njerëzor të luftojë vetë qelizat kancerogjene. Ai tregoi edhe detaje personale që e lidhin me UP-në dhe Kosovën. Tha se të dy prindërit studimet i kishin kryer në Universitetin e Prishtinës, ndërsa më pas babai i tij ishte profesor në këtë universitet, derisa e ëma kishte punuar si mjeke.
Në prill të vitit 2026, edhe profesoresha e Universitetit Monash të Australisë, e afiliuar në Universitetin e Prishtinës, prof. Zanfina Ademi mbajti një ligjëratë në Degën e Farmacisë të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Ajo është shkencëtarja më e cituar shqiptare në botë.