Një delegacion nga Polonia i përbërë nga profesorë universitarë, biznesmenë, artistë dhe politikëbërës, vizitoi Universitetin e Prishtinës.
Vizita studimore e delegacionit polak u organizua nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Varshavë dhe shefi i misionit të saj, ambasadori Drilon S. Gashi bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Mysafirëve për historinë e UP-së dhe planet e së ardhmes së këtij institucioni, u foli rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Arben Hajrullahu.
„Është e zakonshme që shtetet të krijojnë universitete, por jo aq e zakonshme që universitetet të krijojnë shtete. Universiteti i Prishtinës është i tillë. Ky institucion i ka vënë themelet e shtetësisë së Kosovës”, tha në fjalën hyrëse rektori i Universiteti i Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu.
Pas fjalës hyrëse të rektorit, u zhvilluan diskutime të formatit Chatham House, ku tema bosht ishte sfidat e sigurisë bashkëkohore brenda dhe jashtë Kosovës. Në këto diskutime morën pjesë: prof. Bekim Sejdiu, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, z. Mentor Vrajolli, drejtori i Zyrës në Varshavë i Fondit Gjerman Marshal, Philip Bednarczyk, udhëheqësi i Departamentit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Tregtisë në Ministrinë e Zhvillimit dhe Teknologjisë së Polonisë, Aleksander Siemaszko, prorektori i Frederyk Chopin University of Music në Varshavë, dr. Ignacy Zalewski, kancelari i po këtij universiteti z. Pawel Sroczyński, ish-ambasadori polak në Britani dhe para saj në SHBA, tashmë rektori i Universitetit të Teknologjisë dhe Arteve në Varshavë, z. Piotr Wilczek, drejtori i Zyrës në Varshavë i Institutit Aspen, z. Bartłomiej Kot, drejtoresha e përgjithshme e Odës Ekonomike Polake, znj. Karolina Opielewicz, dirigjenti i njohur dhe udhëheqësi artistik i Festivalit të Parë të Muzikës Polake në Kosovë, z. Wojciech Semerau-Siemianowski, bashkërenduesi i komunikimeve dhe eksperti i Ballkanit në Odën Ekonomike Polake, z. Kamil Hyszka dhe ambasadori Gashi.
Në këtë ngjarje të rëndësishme për forcimin e lidhjeve mes universiteteve dhe shteteve, Polonisë e Kosovës, morën pjesë edhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe zhvillim akademik, prof. Rozafa Basha, prorektorja për buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin publik e privat, prof. Albana Berisha-Qehaja dhe prorektori për mësimdhënie, çështje të personelit akademik dhe botime, prof. Adem Beha.
Paralelisht kësaj, prorektorja e Universitetit të Prishtinës, prof. Rozafa Basha, zhvilloi takim me prorektorin për çështje shkencore të Frederyk Chopin University of Music, dr. hab. Ignacy Zalewski dhe kancelarin e përgjithshëm të këtij universiteti, Pawel Sroczyński.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve, me fokus të veçantë në mbështetjen që universiteti nga Varshava mund t’i ofrojë Departamentit të Muzikës të UP-së në përditësimin e programeve studimore, zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe artistike, si dhe forcimin e bashkëpunimit institucional në fushën e muzikës dhe arteve.
Në nëntor të vitit 2025, rektori, prof. Arben Hajrullahu dhe prorektorja, prof. Rozafa Basha, zhvilluan një vizitë në universitete të ndryshme të Polonisë për rritje bashkëpunimi. Atëherë, UP-ja nënshkroi memorandum mirëkuptimi me Shkollën e Filmit të Łódźit, njërën nga akademitë më prestigjioze të filmit në Evropë. Më pas UP-ja nënshkroi një sërë memorandumesh mirëkuptimi me universitete të tjera të përgjithshme, të teknologjisë, të inxhinierisë dhe të arteve, duke përfshirë edhe Universitetin e Varshavës, universitetin më të mirë sipas rangimeve më prestigjioze ndërkombëtare dhe polake.
Mysafirët nga Polonia, erdhën për t’u njohur më mirë me njerëzit kyç të Kosovës dhe institucioneve të saj, për të ndihmuar kështu në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve Kosovë-Poloni në ekonomi, politikë e kulturë, përpara organizimit të Festivalit të Muzikës Polake në Kosovë (POMIK), që është paraparë të nisë në nëntor të vitit 2026.