Universiteti i Prishtinës ka shënuar një moment të rëndësishëm institucional me certifikimin e gjeneratës së re të trajnerëve në kuadër të programit „Train-the-Trainer Programme for Job Placement Counsellors”, i realizuar në bashkëpunim me Institutin për Shkenca të Aplikuara të Këshillimit (INfaBW) nga Gjermania, Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve të Republikës së Kosovës, si dhe me mbështetjen e Qeverisë Gjermane përmes Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.
Ceremonia solemne e certifikimit, e mbajtur në ambientet e Fakultetit të Edukimit, përmbylli me sukses një proces intensiv dhe të mirëstrukturuar të zhvillimit profesional, gjatë të cilit u certifikuan 13 anëtarë të personelit akademik dhe profesionistë të kësaj fushe. Ky moment nuk përfaqëson vetëm përfundimin e një cikli trajnues, por njëkohësisht shënon fillimin e një etape të re profesionale për pjesëmarrësit.
Programi, i zhvilluar fillimisht gjatë periudhës 16-20 dhjetor 2025 dhe i vijuar gjatë muajve shkurt dhe mars 2026 në format online, është pjesë e një bashkëpunimi të formalizuar ndërinstitucional dhe synon ngritjen e kapaciteteve profesionale në këshillimin për punësim dhe ndërmjetësimin në tregun e punës, në përputhje me standardet evropiane dhe kërkesat reale të tregut vendor.
Në këtë program morën pjesë 15 profesionistë dhe akademikë nga institucione të ndryshme, përfshirë Universitetin e Prishtinës, universitete të tjera, institucione publike, organizata ndërkombëtare dhe shoqërinë civile, duke krijuar një platformë të rëndësishme për shkëmbim përvojash dhe ndërtim të rrjeteve profesionale ndërsektoriale.
Në fjalën e tij përshëndetëse, prorektori për mësimdhënie, çështje të personelit akademik dhe botime, prof. asoc. dr. Adem Beha, theksoi se ky program përfaqëson një investim strategjik në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe në modernizimin e shërbimeve të punësimit në vend. Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si një faktor kyç për avancimin e politikave aktive të tregut të punës dhe për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
Për Mario Eckardt, shefin e projektit në Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH „Programi ‘Train-the-Trainer’ përfaqëson një shembull të shkëlqyer të asaj që mund të arrihet përmes bashkëpunimit të mirëstrukturuar ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë”.
Ai vlerësoi lart programin dhe përkushtimin e personave të trajnuar.
„Përmes këtij programi, ne nuk kemi investuar vetëm në transferimin e njohurive, por në ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme që do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve të punësimit në Kosovë. Është veçanërisht inkurajuese të shihet niveli i përkushtimit dhe profesionalizmit i treguar nga pjesëmarrësit, të cilët tashmë janë të pajisur me kompetenca bashkëkohore për të adresuar sfidat komplekse të tregut të punës. GIZ mbetet e përkushtuar për të mbështetur iniciativa të tilla, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe në forcimin e politikave aktive të punësimit në vend”, tha Eckardt.
Struktura e programit përfshin një gamë të gjerë temash, nga teoritë e këshillimit dhe diagnostika profesionale, deri te analiza e tregut të punës, menaxhimi i rasteve, këshillimi për mobilitet dhe migrim, si dhe integrimi i grupeve specifike në tregun e punës, duke reflektuar kompleksitetin dhe dinamikën e këtij sektori.
Programi është konceptuar mbi një qasje bashkëkohore, gjithëpërfshirëse dhe multidisiplinare, duke përfshirë komponentë të avancuar si këshillimi profesional, analiza e tregut të punës, politikat e punësimit, menaxhimi i burimeve njerëzore, aspektet etike dhe ligjore të ndërmjetësimit, si dhe ndikimi i transformimeve digjitale në kontekstin e ekonomisë dhe punës 4.0.
Prof. dr. Michael Scharpf nga Universiteti i Studimeve të Aplikuara të Punës ndër të tjera shtoi: „Ky program është ndërtuar mbi një qasje të integruar akademike dhe praktike, duke reflektuar standardet më të avancuara evropiane në fushën e këshillimit për punësim dhe ndërmjetësimit në tregun e punës. Qëllimi ynë nuk ka qenë vetëm transmetimi i njohurive teorike, por zhvillimi i kompetencave të aplikueshme drejtpërdrejt në praktikë. Përmes kombinimit të ligjëratave, ushtrimeve të strukturuara dhe komponentëve të praktikës profesionale, pjesëmarrësit kanë kaluar nëpër një proces të plotë të të nxënit, i cili i përgatit ata për të vepruar si profesionistë dhe trajnerë në sistemin e punësimit. Rezultatet e arritura gjatë këtij programi dëshmojnë potencialin e lartë për zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe të standardizuar të këshillimit për punësim në Kosovë, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare”.
Nga radhët e pjesëmarrësve, z. Granit Brajshori nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) konstatoi se „Programi ka qenë një përvojë me vlerë të lartë profesionale, duke kontribuuar drejtpërdrejt në avancimin e njohurive dhe zhvillimin e kompetencave praktike në fushën e këshillimit për punësim. Ai vlerësoi veçanërisht kombinimin e balancuar ndërmjet teorisë dhe praktikës, si dhe mundësinë për shkëmbim përvojash me profesionistë nga sektorë të ndryshëm”.
Ndërkaq, znj. Nita Luzha nga SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, E cilësoi programin si një hap të rëndësishëm në zhvillimin e saj profesional, duke theksuar se njohuritë dhe aftësitë e fituara do të kontribuojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve që ajo ofron në praktikë.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një programi të qëndrueshëm dhe të standardizuar për këshilluesit e punësimit në Kosovë, duke kontribuuar drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së shërbimeve publike dhe në forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit, tregut të punës dhe politikave zhvillimore.
Universiteti i Prishtinës mbetet i përkushtuar për të avancuar më tej bashkëpunimin me institucionet publike, partnerët ndërkombëtarë dhe sektorin e punësimit, duke e konsideruar këtë program si një ndër nismat kyçe për zhvillimin afatgjatë të kapitalit njerëzor dhe për rritjen e konkurrueshmërisë së fuqisë punëtore në Republikën e Kosovës.