Profesorët spanjollë vizitojnë UP-në për forcim bashkëpunimi dhe projekte të përbashkëta

23 Prill 2026
SHARE

Prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha, priti në takim profesorët nga Universiteti Autonom i Madridit (UAM), prof. Concepción Camarero Bullón që është edhe shefe e Departamentit të Gjeografisë dhe profesorin e gjeografisë, prof. Miguel Borja Bernabé Crespo, njëherësh delegat për ndërkombëtarizim i rektores së këtij Universiteti.

Gjatë takimit, u theksua bashkëpunimi i kahershëm ndërmjet profesorit Miguel dhe profesorit Arsim Ejupi nga Departamenti i Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore të UP-së, të cilët diskutuan për projektet e tyre të përbashkëta kërkimore në fushën e gjeografisë politike.

Prorektorja vlerësoi bashkëpunimin ekzistues ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe UAM-it që tashmë zhvillohet në nivel profesorësh dhe njësish akademike, duke përmendur veçanërisht Fakultetin e Ekonomisë, si dhe Departamentin për Punë Sociale të Fakultetit Filozofik, ku janë në zbatim tashmë, marrëveshjet Erasmus+ KA171 për mobilitein e studentëve dhe personelit.

Në këtë kontekst, ajo prezantoi programet dhe aktivitetet ndërkombëtare të Universitetit të Prishtinës dhe propozoi mënyra konkrete për thellimin dhe institucionalizimin e bashkëpunimit, nëpërmjet projekteve të përbashkëta kërkimore, zgjerimit të marrëveshjeve të shkëmbimit edhe në departamente të tjera, si dhe zhvillimit të iniciativave për programe të përbashkëta studimi. Gjithashtu, u diskutua mundësia e mbështetjes nga UAM-i për angazhimin e një ligjëruesi të gjuhës spanjolle në Fakultetin e Filologjisë dhe në Qendrën e Gjuhëve.

Përfaqësuesit e UAM-it shprehën gatishmëri të plotë për vazhdimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit, duke theksuar interesimin e veçantë të këtij universiteti për të forcuar lidhjet me rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën.

Profesorët spanjollë janë mysafirë të Departamentit të Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore. Ata, më 22 prill, mbajtën ligjëratë për studentë dhe personel akademik në fushat e gjeografisë historike dhe gjeografisë politike. Ndërkaq, më 23 prill kryen një vizitë hulumtuese me profesorët e UP-së në rajonet e Gorës dhe Opojës, në kuadër të një studimi të përbashkët.