Dita e Tokës: Tryeza e Departamentit të Antropologjisë nxit dialog ndërdisiplinor dhe reflektim kritik 🌿 për mjedisin

23 Prill 2026
SHARE

Departamenti i Antropologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, më 22 prill 2026, në Ditën e Tokës 🌍, organizoi tryezën e përvitshme me temën: „Mjedisi në Perspektivë Kulturore: Qasjet Kërkimore Ndërdisiplinore”.

Tryeza mblodhi profesorë, studiues, studentë dhe alumnë, duke krijuar një hapësirë të gjallë diskutimi mbi mënyrat se si mjedisi mund të kuptohet përtej kornizave të ngushta disiplinore. Tryezën e përshëndetën prorektori për shkencë dhe profesori i biologjisë, Avni Hajdari, i cili ishte njëherësh edhe pjesëmarrës në panelin e parë dhe dekani i Fakultetit Filozofik, prof. Bekim Baliqi.

Tryeza pati tri sesione: akademik, joqeveritar dhe studentor. Gjatë sesioneve, diskutuesit theksuan në mënyrë të veçantë kontributin e qasjeve dhe metodologjive antropologjike në studimin e natyrës dhe mjedisit, duke e parë atë si një fushë të ndërthurur thellësisht me kulturën, praktikën shoqërore dhe përvojën njerëzore.

Në tryezë u nënvizua rëndësia e qasjes ndërdisiplinore si domosdoshmëri për të kuptuar kompleksitetin e çështjeve mjedisore sot, si dhe roli i aktivizmit kreativ dhe i organizatave joqeveritare në ndërmjetësimin e ndryshimeve shoqërore dhe ekologjike ♻️. Një vëmendje e veçantë iu kushtua ruajtjes së dijes tradicionale, duke theksuar nevojën për ta dokumentuar, interpretuar dhe riaktualizuar atë në kontekstet bashkëkohore.

Profesori Avni Hajdari nga Departamenti i Biologjisë i FShMN-së ofroi një pamje të raportit të etnobotanikës me etnografinë dhe rëndësinë e dijes tradicionale, duke sjellë prova nga hulumtimet e tij të shumta në Kosovë, Shqipëri, Itali, Greqi e rajon.

Profesori Shemsi Krasniqi nga Departamenti i Sociologjisë diskutoi për ekokulturën dhe nevojën e zgjerimit të diskutimit përtej antropocentrizmit, kah ekocentrizmi.

Profesoresha Linda Gusia ngriti pyetje të shumta rreth aktivizmit kreativ, duke theksuar aktivizmin në kontekst të mbrojtjes së ujit në Kosovë 💧.

Profesori Dukagjin Zeka nga Fakulteti i Bujqësisë diskutoi për mbrojtjen e mjedisit nga pikëpamja e zhvillimit të bujqësisë dhe aspekteve relevante, si demografia, ndotja, zhvillimi ekonomik e me radhë.

Po ashtu, profesoresha Zanita Halimi ngriti pyetjen e rëndësishme antropologjike mes kujdesit ndaj ambientit në zonë private dhe publike dhe mosveprimit për përmirësimin e gjendjes.

Urtësë Zeneli, antropologe nga organizata DYVO, foli për qasjen kreative të kësaj organizate në riciklim dhe mbiciklim, sidomos për të ngritur vetëdijen te të rinjtë për efektet e ndotjes nga plastika.

Në sesionin e alumnëve dhe studentëve kumtesat i paraqitën Çlirimtare Januzaj, Era Ramoja, Riga Uka dhe Besim Gashi dhe u prezantuan kërkime, projekte dhe iniciativa të Departamentit të Antropologjisë 🎓. Ky panel dëshmoi angazhimin aktiv të studentëve në fusha si hulumtimi, filmbërja dhe bashkëpunimet ndërinstitucionale, duke reflektuar një qasje të integruar mes teorisë dhe praktikës.

Me anë të këtij organizimi, Departamenti i Antropologjisë vazhdon të forcojë rolin e tij si një hapësirë kritike e dialogut akademik dhe publik mbi çështje kyçe të kohës, duke nxitur bashkëpunim, reflektim dhe veprim në raport me mjedisin dhe kulturën 🌱