Në Universitetin e Prishtinës u mbajt ligjërata e hapur „Words Matter”, një aktivitet akademik dhe ndërgjegjësues i udhëhequr nga Era Hamiti (studente e shkallës MA, viti i parë, në Fakultetin Ekonomik, Departamenti i Ekonomiksit), në rolin e bartëses së projektit, në kuadër të një iniciative të zhvilluar nga një grup studentesh të Universitetit të Prishtinës. Nën drejtimin e saj, kjo iniciativë përfaqëson një shembull të rëndësishëm të lidershipit studentor dhe angazhimit aktiv në trajtimin e çështjeve me ndikim akademik dhe shoqëror. Nëpërmjet një qasjeje të strukturuar dhe reflektuese, aktiviteti trajtoi rolin e gjuhës në formësimin e realitetit shoqëror, ndërtimin e besimit dhe promovimin e përfshirjes, duke theksuar rëndësinë e përdorimit të vetëdijshëm dhe gjithëpërfshirës të saj në diskursin publik dhe akademik.
Aktiviteti u organizua nga Divizioni për Zhvillim Akademik, Cilësi, Monitorim dhe Karrierë në Universitetin e Prishtinës, në bashkëpunim me iniciativën „Words Matter”. Ligjërata, e mbajtur më 15 prill 2026 në Qendrën për Zhvillim të Karrierës, u moderua nga Era Hamiti dhe pati si të ftuar prof. dr. Vjosa Sadriu-Hamitin. Gjatë saj u prezantua misioni i iniciativës për promovimin e përdorimit të vetëdijshëm dhe gjithëpërfshirës të gjuhës, ndërsa diskutimi trajtoi ndikimin e komunikimit në perceptime, identitete dhe në ndërtimin e një kulture më të hapur dhe gjithëpërfshirëse.
Gjetjet kryesore të një hulumtimi empirik [shkarko dokumentin këtu], i realizuar nga studiuesja Era Hamiti evidentuan se përdorimi i gjuhës jogjithëpërfshirëse mbetej i përhapur dhe shpesh i normalizuar në mjedisin akademik. U theksua se një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve e konsideronin përdorimin e formës mashkullore si standard në ligjërata dhe materiale mësimore, ndërsa shembujt në literaturë shpesh favorizonin burrat. Po ashtu, u nënvizua mungesa e trajnimeve për personelin akademik në këtë fushë, çka ndikonte në vazhdimësinë e praktikave të pavetëdijshme gjuhësore dhe në përforcimin e stereotipeve gjinore.
Era Hamiti, bartëse e projektit „Words Matter”konstatoi se „Kjo iniciativë lindi nga nevoja për të adresuar përdorimin e vazhdueshëm dhe shpesh të normalizuar të gjuhës jogjithëpërfshirëse në mjedisin akademik. Gjetjet empirike tregojnë qartë se ndryshimi nuk mund të mbetet vetëm në nivel ndërgjegjësimi, por kërkon përkthim në praktika konkrete institucionale. Universitetet kanë një rol kyç në formësimin e standardeve të komunikimit dhe në ndërtimin e një diskursi më të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës”.
Diskutimi i zhvilluar gjatë aktivitetit reflektoi edhe mbi perceptimin e gjuhës gjithëpërfshirëse në realitetin shoqëror në Kosovë, duke evidentuar një hendek ndërmjet gjeneratave në mënyrën e të kuptuarit dhe zbatimit të saj. Në këtë kuadër, u theksua roli i institucioneve të arsimit të lartë në promovimin e standardeve të reja të komunikimit dhe në ndërtimin e një kulture më të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse.
Gjithashtu, u diskutua nevoja për avancimin e përdorimit të gjuhës gjithëpërfshirëse në tekstet akademike, në komunikimin administrativ dhe në diskursin medial në Kosovë, nëpërmjet zhvillimit të udhëzuesve institucionalë dhe integrimit të këtyre parimeve në praktikat e përditshme akademike.
E ftuar speciale në këtë aktivitet ishte prof. dr. Vjosa Sadriu-Hamiti nga Fakulteti i Filologjisë, e cila në fjalën e saj theksoi rëndësinë e rolit të gjuhës në formësimin e realitetit shoqëror dhe në ndërtimin e një diskursi më të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës.
“Gjuha nuk përbën vetëm një reflektim të realitetit, por është një mekanizëm aktiv që e formëson atë. Mënyra se si komunikojmë ndikon drejtpërdrejt në ndërtimin e narrativave shoqërore, në përforcimin apo sfidimin e stereotipeve dhe në krijimin e hapësirave për përfshirje. Në këtë kuptim, përdorimi i vetëdijshëm dhe gjithëpërfshirës i gjuhës duhet të jetë pjesë integrale e praktikave akademike dhe institucionale”, tha Sadriu-Haniti.
Studentët gjatë ligjëratës u angazhuan me anë të pyetjeve dhe reflektimeve, duke kontribuuar në një shkëmbim të hapur idesh dhe perspektivash, çka e bëri aktivitetin një hapësirë dinamike të dialogut akademik.
Në vijim, studentja Tea Gashi nga Fakulteti i Filologjise ndau reflektimet e saj mbi përvojën akademike, duke e lidhur temën e trajtuar me realitetin e përditshëm universitar.
“Përdorimi i gjuhës gjithëpërfshirëse nuk është thjesht çështje formale, por ndikon drejtpërdrejt në ndjenjën time të përkatësisë si studente. Mënyra se si komunikojnë profesorët dhe institucionet mund të krijojë ose të kufizojë hapësirën për përfshirje dhe angazhim aktiv”, tha ajo.
Nga ana tjetër, studenti Art Shema nga Fakulteti i Mjekesise, vuri në pah ndikimin e gjuhës në motivimin dhe pjesëmarrjen e studentëve në jetën akademike.
“Komunikimi i kujdesshëm dhe gjithëpërfshirës krijon një ambient më të hapur, ku ndihem i vlerësuar dhe i inkurajuar të shpreh mendimet e mia. Për mua, gjuha është një instrument kyç në ndërtimin e një komuniteti universitar më mbështetës dhe gjithëpërfshirës”, theksoi ai.
Iniciativa ëWords Matter” u zhvillua në kuadër të programit SHER (Sustainable Higher Education and Research in Kosovo), me mbështetje nga Austrian Development Agency (ADA) dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Ajo synoi rritjen e ndërgjegjësimit mbi rolin e gjuhës në formësimin e realitetit shoqëror dhe promovimin e një komunikimi më të vetëdijshëm, etik dhe gjithëpërfshirës.
Në përmbyllje, aktiviteti riafirmoi rëndësinë e përdorimit të gjuhës si një instrument me ndikim të drejtpërdrejtë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të ndjeshme. Me anë të këtij organizimi, Universiteti i Prishtinës dëshmoi edhe një herë rolin e tij në mbështetjen e iniciativave që burojnë nga studentët dhe kontribuojnë në zhvillimin e diskursit akademik dhe shoqëror.
Studentët e interesuar për t’u bërë pjesë e iniciativës "Words Matter” ftohen të ndjekin aktivitetet nëpërmjet profilit zyrtar në Instagram, një hapësirë ku publikohen informacione, diskutime dhe mundësi për angazhim aktiv në promovimin e një komunikimi më të vetëdijshëm dhe gjithëpërfshirës.