Më 7 prill 2026, rektori i Universitetit „Aristoteli” të Selanikut, prof. Kyriakos Anastasiadis, priti në një takim pune rektorin e Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu.
Rektorët Anastasiadis dhe Hajrullahu theksuan nevojën për një kombinim të lidershipit akademik, përvojës administrative dhe përsosmërisë shkencore drejt universiteteve që promovojnë dhe mundësojnë: ndërkombëtarizimin dhe partneritetet globale; inovacionin, ndikimin e kërkimit dhe transferimin e njohurive; si dhe forcimin e rolit të universitetit si një shtyllë e zhvillimit socio-ekonomik.
Rektori Hajrullahu njoftoi homologun e tij se Universiteti i Prishtinës luan një rol qendror në arsimin e lartë dhe ndërtimin e kapaciteteve në Kosovë, me theks në rritje në ndërkombëtarizim dhe në përafrimin me standardet akademike evropiane. Universiteti i Prishtinës, më i vjetri dhe më i madhi në Kosovë, ka qenë dhe vazhdon të jetë universiteti i pozicionuar më së larti nga universitetet në gjuhën shqipe në botë. Ndërkaq, rektori Anastasiadis theksoi se Universiteti „Aristoteli” i Selanikut është një nga universitetet më të mëdha dhe më të angazhuara ndërkombëtarisht në Evropën Juglindore, me një prani të fortë në kërkim, inovacion dhe angazhim publik.
Krahas katër universiteteve të tjera në Greqi, Universiteti Aristoteli i Selanikut dhe Universiteti i Prishtinës tashmë mirëmbajnë një marrëveshje kornizë Erasmus+, duke lehtësuar lëvizshmërinë e studentëve dhe të personelit akademik. Po ashtu, Universiteti i Prishtinës është pjesë e konsorciumit në projektin „HORIZON EUROPE – Reinforcing the Scientific Excellence of the Institute for Ethnopharmacological Studies and Phytotherapy through Twinning with Computer Science”, të udhëhequr nga National and Kapodistrian University of Athens.
Duke pasur parasysh nevojën për aleanca akademike rajonale në Evropën Juglindore si dhe prioritetet e qeverisjes dhe tranzicionin digjital, forcimi i bashkëpunimit midis Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit „Aristoteli” të Selanikut paraqitet veçanërisht i rëndësishëm dhe premtues.
Bashkëpunimi midis dy universiteteve tashmë tregon ndikim të matshëm nëpërmjet skemës „Young Cell”. Duke u bazuar në këtë sukses, ekziston potencial i madh për zhvillimin e një partneriteti gjithëpërfshirës dhe strategjik që kontribuon jo vetëm në përsosmërinë akademike, por edhe në stabilitetin rajonal, kapacitetin institucional dhe integrimin evropian.
Në frymën e forcimit të lidhjeve akademike Kosovë – Greqi, si pjesë e bashkëpunimit më të gjerë rajonal, rektorët Anastasiadis dhe Hajrullahu u dakorduan që universitetet që udhëheqin të avancojnë një marrëveshje bashkëpunimi, ndër të tjera me qëllim të forcimit të mëtejmë të:
- Diplomacisë së dijes si nxitëse e bashkëpunimit afatgjatë;
- Programeve të përbashkëta akademike;
- Programeve intensive afatshkurtra (shkolla verore/dimërore);
- Bashkëpunimit në kërkim dhe inovacion;
- Pjesëmarrjes së përbashkët në Horizon Europe dhe projekte të tjera të financuara nga BE;
- Krijimit të grupeve tematike kërkimore;
- Bashkëpublikimeve dhe iniciativave për shpërndarjen e rezultateve të kërkimit;
- Zhvillimit të moduleve të arsimit ekzekutiv;
- Përmirësimit të lëvizshmërisë së studentëve dhe të personelit akademik.
Një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe universiteteve në Greqi ishte nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me Universitetin Panteion të Shkencave Politike dhe Sociale në Athinë, e cila u realizua në dhjetor 2024, dhe e cila synon zhvillimin e shkëmbimeve akademike dhe projekteve të përbashkëta në arsim dhe kërkim shkencor.