Një raport i hartuar nga profesori Arsim Canolli në bazë të anketimit të profesorëve dhe studentëve të UP-së në lidhje me botimet universitare, nxori përfundimin kryesor se Universitetit të Prishtinës i duhet një bibliotekë digjitale me qasje të hapur në të.
Ky raport paraqet rezultatet kryesore të hulumtimit të realizuar nga Këshilli Botues i Universitetit të Prishtinës dhe shërben si bazë analitike për zhvillimin e Strategjisë së Botimeve të Universitetit të Prishtinës 2026–2029. Raporti synon të evidentojë nevojat, kërkesat dhe pritjet e stafit akademik dhe të studentëve në raport me botimet universitare, si dhe të argumentojë rëndësinë strategjike të botimit me qasje të hapur (Open Access) për zhvillimin akademik dhe institucional të Universitetit të Prishtinës.
Hulumtimi është realizuar nga anëtari i Këshillit Botues, prof. asoc. Arsim Canolli, me pëlqim të Këshillit Botues, gjatë periudhës nëntor–dhjetor 2024 dhe përfshin të dhëna të mbledhura nga 133 profesorë dhe 366 studentë, duke ofruar një pasqyrë të qartë të perceptimeve dhe prioriteteve të komunitetit universitar lidhur me qasjen në literaturë, formatet e botimit dhe infrastrukturën e nevojshme për shpërndarjen e dijes.
Gjetjet e raportit tregojnë një mbështetje të fuqishme për zhvillimin e një infrastrukture digjitale të botimeve, veçanërisht për krijimin e një biblioteke digjitale me qasje të hapur, si dhe për përdorimin e formateve hibride dhe digjitale të botimit. Këto rezultate përforcojnë nevojën që Universiteti i Prishtinës të ndërtojë një sistem të qëndrueshëm dhe modern të botimeve akademike, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, raporti thekson se tranzicioni drejt botimit me qasje të hapur kërkon krijimin e një infrastrukture institucionale. Për këtë arsye, një nga rekomandimet kryesore është themelimi i Zyrës së Botimeve të Universitetit të Prishtinës (BUP), e cila do të shërbejë si hallka qendrore për organizimin, prodhimin, publikimin dhe distribuimin e botimeve universitare, si në format digjital ashtu edhe në atë të shtypur.
Raporti dhe gjetjet e tij kanë shërbyer si bazë emprike e analizës së nevojave për hartimin e Strategjisë së Botimeve të UP-së 2026–2029 (ende në shqyrtim nga Këshilli Drejtues i UP-së) dhe për zhvillimin e kornizës rregullative të botimeve universitare, përfshirë Rregulloren për veprimtari botuese (kushtet dhe procedurën e botimit, ribotimit dhe përkthimit) të Universitetit të Prishtinës dhe Udhëzuesin për veprimtarinë botuese të Universitetit të Prishtinës, (Nr. 1/911 të datës 07.08. 2025) të miratuara nga Senati i Universitetit të Prishtinës në vitin 2025. Kësisoj, raporti përbën hapin e parë analitik dhe institucional drejt transformimit të sistemit të botimeve universitare në Universitetin e Prishtinës.
Raportin e plotë mund ta shikoni këtu.