Universiteti i Prishtinës instalon Veglën Asistuese në uebfaqe dhe në SEMS për studentët me aftësi të kufizuara

10 Mars 2026
SHARE

Universiteti i Prishtinës ka instaluar Veglën Asistuese në uebfaqen zyrtare të universitetit dhe në platformën SEMS (Sistemi Elektronik për Menaxhimin e Studentëve), me qëllim përmirësimin e qasjes digjitale për studentët me aftësi të kufizuara.

Kjo vegël digjitale synon të lehtësojë qasjen në informacionin dhe shërbimet online të universitetit, duke mundësuar përdorim më të thjeshtë dhe më të përshtatshëm të uebfaqes dhe të sistemit SEMS. Përmes këtij asistenti virtual, përdoruesit mund të përshtatin mënyrën e shfaqjes së përmbajtjes sipas nevojave të tyre, përfshirë përmirësimin e lexueshmërisë së tekstit, rregullimin e kontrastit dhe të madhësisë së shkronjave, si dhe funksione të tjera që lehtësojnë përdorimin e platformës.

Instalimi i kësaj vegle synon të rrisë gjithëpërfshirjen dhe barazinë në qasje ndaj informacionit dhe shërbimeve universitare, duke krijuar kushte më të përshtatshme për të gjithë.

Në kohën kur transformimi digjital është bërë pjesë e pandashme e arsimit të lartë, qasshmëria në platformat online konsiderohet standard i domosdoshëm për universitetet moderne dhe është në përputhje me praktikat evropiane të arsimit gjithëpërfshirës.

Universiteti i Prishtinës mbetet i përkushtuar për krijimin e një mjedisi akademik të hapur, gjithëpërfshirës dhe të barabartë për të gjithë.