Ministrja Pacolli në takim me rektorin Hajrullahu: Prioritet do të jenë pronat e UP-së

04 Mars 2026
SHARE

Në një takim të drejtuesve të UP-së me një delegacion nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, u fol kryesisht për kthimin e pronave të uzurpuara të Universitetit të Prishtinës dhe mundësitë e shumta të bashkëpunimit mes dy institucioneve. 

Ministrja Fitore Pacolli-Dalipi tha se shumë prona publike në plot raste të ndryshme janë atakuar, ndërsa theksoi se për institucionin që drejton pronat e UP-së do të jenë prioritet. 

Ajo konsideroi se Plani Hapësinor i Kosovës që do të nisë të hartohet sivjet, do të ndajë qartë pronat publike nga ato private dhe do të përcaktojë edhe hapësirat publike që do t’u kthehen institucioneve të ndryshme. 

Ministrja tha se gjatë hartimit të planit hapësinor ekspertiza nga Universiteti i Prishtinës dhe vetë ky institucion arsimor duhet ta ketë rolin kryesor, ndërsa ndihmë do të ofrojnë edhe institucionet e rëndësishme evropiane. 

Ekipi i rektorit, prof. Arben Hajrullahu dhe ai i ministres Pacolli-Dalipi, u pajtuan që për të gjitha fushat në të cilat mund të bashkëpunohet, UP-ja dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duhet të përgatisin, nënshkruajnë dhe zbatojnë në plotëni, një memorandum bashkëpunimi. 

Ministrja Pacolli-Dalipi erdhi në Rektorat e shoqëruar nga këshilltari i saj për prona, Milazim Salijaj, shefja e kabinetit, Edona Bajçinca dhe këshilltari për media, Fatri Zhitia. Mysafirët u pritën nga rektori, prof. Arben Hajrullahu, prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, prof. Avni Hajdari dhe profesori i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, prof. Përparim Ameti. 

Në emër të UP-së, ministres Pacolli-Dalipi dhe këshilltarit të saj Milazim Salijaj, rektori Hajrullahu ua ndau nga një mirënjohje në shenjë falënderimi për një raport dhe hulumtim nga Kuvendi i Kosovës rreth një rasti të uzurpimit të pronës së universitetit.