Shefi i Misionit të OSBE-së viziton Universitetin e Prishtinës

03 Mars 2026
SHARE

Në një takim me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, z. Gerard McGurk, u fol për tejkalimin e ndasive nga e kaluara, një shoqëri më të integruar, Programin e Ballkanistikës në Fakultetin e Filologjisë dhe disa nga sfidat që e ballafaqojnë UP-në ndër vite.

Diplomati britanik që drejton Misionin e OSBE-së, u informua nga drejtuesit e Universitetit të Prishtinës se janë duke u bërë përpjekje të vazhdueshme që krahas shumë angazhimeve të tjera për universitetin dhe shoqërinë, të rikthehen dhe të rivihen në funksion të gjitha pronat, aq shumë të nevojshme për nevojat e UP-së.

Palët ndanë të njëjtin qëndrim që çështjet akademike, po edhe ato pronësore duhet të kualifikohen drejt dhe të mos lejohet ndonjë politizim eventual. Kreu i OSBE-së në Kosovë ofroi përvojën personale dhe të misionit që drejton për dialog të sinqertë dhe të bazuar në besim të ndërsjellë.

Në takim u fol edhe për tejkalimin e ndasive nga e kaluara, respektimin e shumëllojshmërisë dhe krijimin e mundësive për një shoqëri më mendjehapur dhe më të integruar, në mënyrë që gjeneratat e tanishme dhe ato që do të vijnë, të mos i përjetojnë ndasitë dhe dhunën sikurse gjeneratat më parë.

Duke treguar se UP-ja ka vende të rezervuara për komunitetet joshumicë që jetojnë në Kosovë, rektori, prof. Arben Hajrullahu, tha se studentët nga të gjitha komunitetet pa përjashtim janë më se të mirëseardhur në Universitetin e Prishtinës.

Shefi i Misionit të OSBE-së u njoftua edhe për planifikimin që Dega e Ballkanistikës në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës të fillojë pranimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2026/'27 e tutje.

Kreu i OSBE-së në Kosovë, z. Gerard McGurk, i shoqëruar nga drejtoresha e Departamentit për të Drejtat e Njeriut në këtë organizatë, znj. Kavya Rajan dhe zyrtari i programit nacional për politika të komuniteteve, z. Artan Kasumi, u prit nga rektori, prof. Arben Hajrullahu, prorektorja për ndërkombëtarizim dhe zhvillim akademik, prof. Rozafa Basha dhe prorektori për mësimdhënie, çështje të personelit akademik dhe botime, prof. Adem Beha.

Në gusht të vitit 2025 Rektoratin e Universitetit të Prishtinës e vizitoi edhe Komisionari i Lartë i OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp.