Më 26 shkurt 2026 u bë lansimi zyrtar i platformës shendetimendor.org, një iniciativë e zhvilluar nga Instituti i Psikologjisë i Universitetit të Prishtinës në bashkëpunim me Qendrën për Shëndet Global, me synimin për të forcuar qasjen në informacion të bazuar në prova dhe mbështetje psikoedukuese në Kosovë.
Ngjarja u hap me fjalë mirëseardhjeje nga prof. Aliriza Arënliu, i cili prezantoi rolin e Institutit të Psikologjisë dhe rëndësinë e angazhimit akademik dhe të studentëve në promovimin e shëndetit mendor.
Drejtori i Institutit të Psikologjisë në UP, prof. Arënliu, më pas shpjegoi nevojën për krijimin e platformës, duke theksuar boshllëqet ekzistuese në ofrimin e shërbimeve të shëndetit mendor dhe rolin që faqja do të ketë si shërbim falas për komunitetin në Kosovë dhe vendet tjera ku flitet shqip.
Pastaj, Shkurtë Bajgora, foli për punën dhe angazhimin e Qendrës për Shëndet Global në fushën e shëndetit mendor dhe zhvillimin e projekteve me ndikim në komunitet. Fjalë rasti mbajti edhe Arbër Fetahu, përfaqësues i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), në kuadër të programit “EJA Kosovë”, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.
Pjesa më e madhe e punës për materialet e platformës u realizua nga studentë të nivelit master (të drejtimeve Psikologji klinike dhe Psikologji në komunitet) në kuadër të një lënde për shëndet mendor online, ndërsa vullnetarët që ofrojnë mbështetje nëpërmjet chat-it janë kryesisht studentë të nivelit bachelor.
Prezantimi praktik i faqes shendetimendor.org u realizua nga Diona Visoka që demonstroi navigimin në platformë, përmbajtjen psikoedukuese, funksionalitetin e shërbimit chat me vullnetarë të trajnuar për ndihmë të parë psikologjike, si dhe shërbimin chat me AI Bot.
Aktiviteti u përmbyll me pyetje dhe diskutim të hapur, duke reflektuar interesimin dhe gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejmë institucional dhe profesional.
Instituti i Psikologjisë gjatë verës së vitit 2025 bashkëpunoi edhe me festivalin „Sunny Hill” duke ofruar këshilla psikoedukative për të gjithë ata që kishin nevojë.