Është përmbyllur sot Shkolla Dimërore e UP-së „Warm UP” me një prezantim se si të bëhen temat e doktoratës, disa prezantime të studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe fjalët përshëndetëse të organizatorëve dhe mysafirëve.
Në ditën e tretë të edicionit të parë të Shkollës Dimërore „Warm UP” të UP-së, profesori nga Qendra SnT e Universitetit të Luksemburgut, Marcus Völp, tregoi se si duhet të bëhet një prezantim i temave të doktoratës që kandidati të jetë bindës në promovimin e idesë së tij te mentorët, komisionet dhe audienca.
Pastaj, studentët e FIEK-ut që qëndruan më parë në Qendrën Ndërdisiplinare për Siguri, Qëndrueshmëri dhe Besim (SnT) në Universitetin e Luksemburgut, dijen dhe përvojën e fituar atje nën drejtimin e profesorit Blerim Rexha e shfaqën nëpërmjet prezantimeve të temave të ndryshme. Prezantimet e punës së tyre i bënë studentët e doktoratës Rrezarta Thaçi, Arbena Musa, Ali Krasniqi, Dardan Bakiu dhe Ahmet Bucko.
Më pas fjalë përshëndetëse mbajtën rektori, prof. Arben Hajrullahu, profesori Marcus Völp, përfaqësuesi i Agjencisë së Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor (Lux Dev), Behlul Shaljani, prorektorja për ndërkombëtarizim dhe zhvillim akademik, prof. Rozafa Basha dhe profesori i FIEK-ut, prof. Blerim Rexha. Në këto fjalë u vlerësua lart edicioni i parë dhe u premtuan edicione edhe më përmajtjesore të „Warm UP” viteve në vijim.
Në fund, certifikatat pjesëmarrësve të shkollës iu ndanë nga prorektorët Rozafa Basha e Avni Hajdari.
Shkolla „Warm UP” nisi të mërkurën me fjalët hapëse dhe një ligjëratë të profesorëve Carlo Duprel e Marcus Völp për programet e doktoratave të Universitetit të Luksemburgut, të bazuara në projekte konkrete.
Të enjten u treguan programet e sukseshme të doktoratave në Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Luksemburgut dhe dhe rrjetit doktoral të Marie Skłodowska-Curie Actions në kuadër të programit Horizon Europe. U zhvillua edhe një sesion diskutimi për sfidat dhe të ardhmen e mentorimit të studentëve të doktoratës në UP.
Shkolla „Warm UP” synon avancimin e studimeve të doktoratës dhe kërkimeve shkencore në Universitetin e Prishtinës, derisa mëton të bëhet një pikëtakim akademik i qëndrueshëm i studiuesve me përvojë dhe atyre që sapo kanë nisur karrierën.
Ajo u mbështet nga Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor (Lux Dev) dhe Ambasada e Luksemburgut në Kosovë.