MCA-Kosova dhe Universiteti i Prishtinës nënshkruajnë marrëveshje për të avancuar kapacitetet e Kosovës në aftësitë energjetike

15 Korrik 2026
SHARE

MCA-Kosova dhe Universiteti i Prishtinës po avancojnë operacionalizimin e Qendrës për Aftësim dhe Inovacion në Energji (QAIE), një investim kyç në kuadër të Projektit JETA, pjesë e programit Kompakt. Përmes nënshkrimit të Marrëveshjes për Subjektin Zbatues, të dy institucionet po forcojnë bashkëpunimin për zhvillimin e fuqisë së kualifikuar punëtore, e cila do të mbështesë zhvillimin e sektorit energjetik të Kosovës.

Kjo qendër do të shërbejë si një platformë e qëndrueshme që lidh arsimin, industrinë dhe zhvillimin e fuqisë punëtore, duke ofruar programe trajnimi të harmonizuara me nevojat e tregut të punës në sektorin e energjisë dhe sektorët e ndërlidhur me energjinë. 

„Qendra për Aftësim dhe Inovacion në Energji është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të kapaciteteve njerëzore që do t'i shërbejnë sektorit energjetik të Kosovës për vite të tëra. Përmes asistencës teknike, zhvillimit të kornizave institucionale dhe ndërtimit të kapaciteteve, po krijojmë themelet për qëndrueshmëri afatgjatë. Ne gjithashtu do të mbështesim ngritjen e hapësirave moderne të trajnimit, duke përfshirë rinovimin dhe pajisjen e ambienteve të dedikuara për mësim, si dhe hartimin e programeve të trajnimit të orientuara nga industria, proceset e akreditimit dhe shërbimet e mbështetjes për karrierë," tha Kryeshefja Ekzekutive e MCA-Kosovës, Florina Duli Sefaj. 

Një element kyç i zhvillimit të qendrës do të jetë krijimi i një modeli qeverisës, që bashkon institucionet akademike dhe përfaqësuesit e industrisë së enërgjisë dhe sektorëve të ndërlidhur me energjinë. Këshilli i QAIE dhe Bordi Këshillimor i Industrisë do të sigurojnë që programet e trajnimit të përgjigjen ndaj nevojave të tregut të punës dhe kërkesave në zhvillim të sektorit energjetik të Kosovës.

QAIE do të ketë hapësira të dedikuara për mësim, laboratorë dhe pajisje moderne, duke krijuar një mjedis ku studentët, profesionistët dhe punëtorët mund të zhvillojnë aftësi praktike të rëndësishme për teknologjitë e reja në energji.

 

„Jam shumë mirënjohës për fondet e MCC-së, për fondet amerikane për ngritjen e kapaciteteve në sektorin e energjisë, një sektor me rëndësi strategjike për vendin dhe sigurinë e tij,” tha rektori i Universitetit te Prishtinës, Prof. Arben Hajrullahu. 

Përtej zhvillimit të infrastrukturës, QAIE do të fokusohet në zhvillimin dhe ofrimin e programeve të trajnimit të orientuara nga industria, përmes bashkëpunimit me punëdhënësit, mundësive për mësim në vendin e punës dhe kualifikimeve të harmonizuara me standardet ndërkombëtare. Qendra gjithashtu do të ofrojë mbështetje për pjesëmarrësit përmes orientimit në karrierë dhe lidhjes me mundësitë e punësimit, duke forcuar rrugëtimin nga zhvillimi i aftësive drejt punësimit.

Përmes zhvillimit të një fuqie punëtore të kualifikuar dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet arsimit dhe industrisë, kjo qendër do të kontribuojë në ndërtimin e kapitalit njerëzor të nevojshëm për sigurinë energjetike të ardhshme të Kosovës.

Programi Kompakt në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, i financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation-MCC), në partneritet me Qeverinë e Kosovës, mbështet investime strategjike në sigurinë energjetike, përfshirë edhe zhvillimin e fuqisë punëtore, me qëllim të krijimit të një të ardhmeje më të sigurt dhe më të qëndrueshme energjetike për qytetarët e Kosovës.