„Sfida më e madhe e menaxhmentit universitar është të ruajë autonominë akademike pa humbur efikasitetin institucional”
Në Samitin treditor të Universiteteve Evropiane 2026, të organizuar në Milano të Italisë nga Times Higher Education, arsimi i lartë në gjuhën shqipe u përfaqësua në panelet diskutuese vetëm nga Universiteti i Prishtinës.
Në këtë ngjarje, ndër më të rëndësishmet për arsimin e lartë dhe botën universitare në Evropë e përtej, rektori i UP-së, prof. Arben Hajrullahu, prezantoi në panelin e titulluar „Udhëheqja nëpër Kriza: Si Munden Institucionet t’i Ruajnë Vlerat, Parimet dhe Strategjitë e tyre Derisa Ndodhen nën Vëzhgim të Vazhdueshëm”, bashkë me presidentin e Universitetit të Qytetit të Dablinit, prof. Dáire Keogh, rektorin e Universitetit Teknik të Stambollit, prof. Hasan Mandan dhe rektoren e Universitetit të Primorskës në Kopër të Sllovenisë, prof. Klavdija Kutnar. Paneli u drejtua nga prorektori për sigurim të cilësisë në Universitetin Politeknik të Torinos, prof. Stefano Berrone.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të ngritura rreth ruajtjes së besueshmërisë së institucionit në kushtet e presionit të lartë, rektori Hajrullahu prezantoi para pjesëmarrësve, politikën e mospasjes asgjë për të fshehur, të ndjekur që nga zgjedhja në krye të UP-së në tetor të vitit 2024. Rektori Hajrullahu tha se: „Sfida më e madhe e menaxhmentit universitar është të ruajë autonominë akademike pa humbur efikasitetin institucional.”
Transparenca është thelbi i udhëheqjes me efikasitet të një institucioni të arsimit të lartë. „Ne i raportojmë situatat ashtu siç janë — qartë dhe sinqerisht. Sfidat i shikojmë si mundësi dhe i trajtojmë hap pas hapi, duke rritur vazhdimisht besueshmërinë për një të ardhme më të mirë”, tha ai.
„Universiteti i Prishtinës po e ruan trashëgiminë e tij të pasur, po e ndihmon shoqërinë në tejkalimin e të kaluarës së vështirë dhe drejt arritjes së zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe po e promovon gjithëpërfshirjen, duke u ofruar çdo vit komuniteteve joshumicë 12 për qind të vendeve të lira për studentë të rinj”, theksoi rektori.
Universiteti i Prishtinës i kushton rëndësi ndërkombëtarizimit dhe bashkëpunimit me universitete dhe institucione tjera të njohura. UP-ja nënshkroi mbi 100 marrëveshje partneriteti, si ndërkombëtare ashtu edhe vendore, ndërsa digjitalizimin e plotë synon ta përfundojë në një periudhë prej 3 deri 5 vjetësh.
Rektori Hajrullahu përmendi edhe lidhjen e UP-së me diasporën akademike kosovare, studiues e profesorë që punojnë në universitete me renome botërore. Deri tash sipas Rregullores për transferim, programin „Brain Gain” dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, janë afiliiuar me UP-në profesionistë të njohur që jetojnë e punojnë jashtë vendit.
„Është përgjegjësi e universiteteve dhe e akademisë që të promovojnë mendimin kritik, të nxisin debatin publik dhe dialogun. Në thelb, universitetet duhet të edukojnë qytetarë të përgjegjshëm, të aftë për mendim racional dhe të pavarur”, tha rektori Hajrullahu.
Rektori Hajrullahu kumtesën e tij e përmbylli me konstatimin: „Në kohë krize institucionet nuk vlerësohen në bazë të presionit me të cilin përballen, por nga refuzimi i kopromiseve me parimet e drejta dhe fer".
Në Samitin e Universiteteve Evropiane 2026, i organizuar nga Times Higher Education, krahas rektorit Hajrullahu mori pjesë edhe prorektori për mësimdhënie, çështje të personelit dhe botime i UP-së, prof. Adem Beha. Gjatë tri ditëve u zhvilluan gjithsej 44 sesione dhe u ofruan mendime e përfundime për fuqizimin e arsimit të lartë, hulumtimin dhe bashkëpunimin ndërdisiplinar, rritjen e punësimit të të diplomuarve, të ardhmen e universiteteve e shkencës dhe përballjen me zhvillimet teknologjike.
Universiteti i Prishtinës që nga viti 2023 është i vetmi institucion i arsimit të lartë në gjuhën shqipe që përfshihet në renditjen e përgjithshme vjetore të universiteteve, të përpiluar nga Times Higher Education.

