Në mbledhjen e senatit të zhvilluar më 29 prill 2026 u vendos që të procedohet me hapjen konkurseve për disa pozita të reja për personel akademik në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, dhe në Fakultetin e Mjekësisë, si dhe u miratuan propozimet për avancimin e personelit ekzistues akademik dhe emërimin e profesorëve dhe asistentëve nga konkursi publik.
U miratuan shumica e emërimeve, avancimeve dhe rizgjedhjeve në fakultetet e Inxhinierisë Mekanike, Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Inxhinierisë së Ndërtimit, Arkitekturës dhe Edukimit Fizik dhe Sportit.
U shpall edhe konkursi për studimet e doktoratës në Fakultetin e Edukimit dhe u mundësua ardhja e një profesori vizitor nga Universiteti i Lubjanës në këtë fakultet, i cili ka një program të përbashkët doktorate me Universitetin e Lubjanës.
Senati mori përsipër edhe realizimin e konkursit për një pozitë në Fakultetin Filozofik, duke rikonfirmuar Komisionin vlerësues si dhe duke krijuar Komisionin e ankesave për këtë konkurs.
Senati vendosi t’ua ndërpresë marrëdhënien e punës dy profesorëve, njërit në Fakultetin e Mjekësisë dhe tjetrit në Fakultetin Filozofik, në lidhje me mospërmbushjen e obligimeve kontraktuale dhe shkeljet tjera etike, pasi senatorët pranuan e shqyrtuan raportet e detajuara dhe provat, dëshmitë, gjegjëse.
Në mbledhje, Këshilli Qendror i Studimeve të Doktoratës u plotësua me tre anëtarë të rinj, derisa u miratuan dhe ratifikuan edhe disa tema doktorate. U shqyrtua dhe u hodh poshtë edhe një ankesë ndaj vendimit të Këshillit të Etikës dhe ky këshill u plotësua me një anëtar të ri.
Me kërkesë të studentëve-senatorë u diskutua edhe për procesin e rivlerësimit dhe vlerësimit të vazhdueshëm. Ndërsa rektori njoftoi senatin për denoncimet e sapobëra pranë Këshillit të Etikës për shkeljet e faktuara nga disa anëtarë të personelit akademik.
