Senatorët vendosën njëzëri në mbledhjen e zhvilluar më 4 mars 2026 që ta asociojnë me UP-në profesorin e Universitetit „Queen Mary” të Londrës, prof. Venet Osmanin.
Profesori Osmani në këtë universitet të njohur ligjëron për inteligjencën artificiale klinike dhe mësimin automatik (Clinical AI and Machine Learning). Ai drejton edhe një laborator teknologjik me emrin „Osmani Lab” në Institutin e Hulumtimeve të Ambientit Digjital (DERI).
Osmani në profilin e tij universitar shpjegon që kërkimet e tij ndërdisiplinore shkencore janë të fokusuara te analiza e të dhënave në shkallë të lartë nga kartelat afatgjata shëndetësore, në mënyrë që të nxirret rezultati më i mirë nga strategjitë e trajtimeve mjekësore, të përmirësohet kujdesi ndaj pacientit dhe të zvogëlohen pabarazitë në shëndetësi.
Profesori Venet Osmani është profesor vizitor në Universitetin e Shefildit, ku më herët ishte edhe profesor i asociuar. Gjithashtu punoi edhe në Institutin Kërkimor FBK dhe Universitetit Trento të Italisë.
Ka qindra punime shkencore të publikuara në revistat më të njohura ndërkombëtare dhe në mediumet e shkruara më të rëndësishme të globit. Vazhdimisht mbikëqyr një numër të studentëve të post-doktoratës, doktoratës e masterit.
Profesori Osmani është njëri nga tre profesorët që u afiliuan edhe me UP-në në mbledhjen e Senatit të datës 4 mars 2026, bashkë me profesoreshën e Universitetit të Lund-it, Miranda Kajtazin dhe profesorin e Universitetit të Stokholmit, Isa Blumin, sipas sipas Rregullores për transferim, programin Brain Gain dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme për rekrutimin e personelit akademik.
Më herët me UP-në janë lidhur edhe profesori i Dublin City University, Gëzim Visoka, mjeku dhe profesori i Ohio State University, Dukagjin Blakaj, farmacisti dhe profesori në King’s College London, Driton Vllasaliu, profesori i Universitetit Virginia Tech, Besnik Pula dhe profesoresha nga Universiteti Monash i Australisë, prof. Zanfina Ademi-Delaney.
Sjellja në UP e profesorëve të nivelit të tillë të lartë ndërkombëtar do t’i ndihmojë universitetit të jetë në tërësi në hap me kohën në të cilën jetojmë dhe t’i presë i përgatitur zhvillimet teknologjike të vazhdueshme të kohës së inteligjencës artificiale.